Covid-19 i merr jetën një tjetër mjeku të njohur shqiptar. Betejën me virusin e rrezikshëm e ka humbur pak pas mesnate, në spitalin Covid 3, ku ishte shtruar, një nga neuropsikiatrit më të njohur shqiptar, prof. dr. Hyqmet Shqerra, në moshën 82-vjeçare.

Janë të pafund pacientët që ai trajtoi dhe ndihmoi me aq përkushtim, dashuri njerëzore dhe aftësi shkencore. Doktor Shqerra lindi në Elbasan në një familje autoktone dhe me tradita. Ai studioi në Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në Degën e Psikiatrisë me rezultate të larta. Më pas mori titujt akademikë. Gjatë eksperiencës së tij 56-vjeçare si mjek neuropsikiatër, doktor Shqerra dha një kontribut shumë të rëndësishëm në trajtimin dhe kurimin e qindra pacientëve shqiptarë me probleme të shëndetit mendor, të moshave të ndryshme, brenda dhe jashtë kufirit.

Për 20 vite drejtoi Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, ku u shqua për aftësitë e veçanta profesionale dhe komunikimin e jashtëzakonshëm human me pacientët, familjarët dhe të gjithë komunitetin. Doktor Hyqmet Shqerra ka punuar vite të tëra edhe në terrene të vështira të fshatrave të Elbasanit, ku iu është gjendur pranë familjeve në problemet e tyre shëndetësore.

Gjatë viteve të pluralizmit, doktor Shqerra lektroi në dhjetëra konferenca  shkencore, auditore universitare dhe kongrese në Austri, Itali, Francë dhe vende të tjera të rajonit dhe Europë me tematikë nga fusha e neurologjisë dhe psikiatrisë. Ai aderonte në shoqata të ndryshme mjekësore europiane të neuropsikiatrisë, si dhe ishte autor i disa studimeve në këto disiplina. Për vite me radhë, doktor Shqerra ka kontribuar në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare përmes intervistave të shumta ne studio televizive dhe më pas në diskutimet në rrjetet sociale, për rëndësinë thelbësore te shëndetit mendor, pasojat dhe mënyrat e trajtimit të tij. Ai la pas bashkëshorten, inxhinieren Fatmira, dhe djalin farmacist, Fatjon Shqerra.
U prehsh në paqe profesor!