Pas vendimit kundër saj në gjyqin kundër ish-bashkëshortit, Amber Heard foli disa ditë më parë për herë të parë në TV në një intervistë me Savannah Guthrie të NBC News duke shpjeguar se për të nuk ishte një vendim i drejtë dhe se rrjetet sociale e kanë sulmuar atë.

Në pjesën e dytë të bisedës që transmetoi kanali amerikan, aktorja tregoi se humbja ishte “poshtërim total para botës”, por që pavarësisht gjithçkaje, ajo nuk ndjen mëri për Johnny Depp, duke pranuar se ajo ende e do atë.

“Unë e dua atë. E kam dashur me gjithë zemër dhe kam bërë të pamundurën që lidhja jonë e dëmtuar thellë të funksionojë. Por nuk munda”, shpjegoi aktorja, duke shtuar:

“Unë nuk kam asnjë ndjenjë negative ndaj tij. E di që mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar ose mund të jetë vërtet e lehtë për t’u kuptuar. Nëse keni dashur ndonjëherë dikë, duhet të jetë e lehtë.”

Duke folur për ndjenjat ndaj ish-it të saj, Amber Heard shtoi se do ta rishkruante sërish editorialin e famshëm në Washington Post që e çoi në gjykatë, duke theksuar se “nuk kishte të bënte me marrëdhënien time me Johnny”.

Aktorja pretendon se ajo nuk donte të diskreditonte Depp-in, por “ta jepja zërin tim për një fjalim më të gjerë” në lidhje me dhunën në familje.

E shtyrë nga Savannah Guthrie, Heard ka reflektuar në lidhje me perceptimin publik për të, në lidhje me kohën kur Depp i shkroi asaj se ajo do të vuante një poshtërim global:

“Unë nuk jam një viktimë e mirë, e kam parasysh këtë. Unë nuk jam një viktimë simpatike. Unë nuk jam një viktimë e përsosur. Por në momentin që dëshmova, kërkova nga juria të më shohë vetëm si një qenie njerëzore dhe të dëgjojë fjalët e tij, që përmbanin premtimin se ai do ta bënte atë”.

Amber Heard do të duhet ta dëmshpërblejë aktorin me 10 milionë dollarë: “Unë e kuptoj dhe respektoj jurinë, por ishte një gjyq i padrejtë ndaj meje”, tha aktorja gjatë deklaratës së saj të parë publike.

“E kuptoj vendimin e tyre: ai është një personazh i dashur dhe njerëzit mendojnë se e njohin, ai është një aktor i mrekullueshëm”.

Ndërkohë, pas lajmit që qarkulloi orët e fundit, sipas të cilit roli i aktores në “Aquaman 2” do të ishte prerë, erdhi përgënjeshtrimi nga një zëdhënës i aktores: “Thashethemet vazhdojnë që nga dita e parë: janë të pasaktë, të pandjeshëm dhe të çmendur”.