Pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë, duket se kalimi në turin e tretë të “Conference League” është një mision i pamundur për Partizanin. Sot do të luajë sfidën e kthimit me FC Basel, një kundërshtar tepër i fortë, me buxhet ku e kun ë raport me “demat e kuq”. Edhe pse nuk pranon dorëzimin pa kushte, trajneri Ilir Daja sheh përtej këtij kundërshtari, nga sezoni i ri futbollistik, për të cilin nevojitet ende merkato:

“Duhet të jemi me këmbë në tokë, ata kanë një ekip shumë cilësor dhe me traditë që nga viti 2000, marrin pjesë në kompeticione europiane dhe kanë marrë pjesë edhe në grupet e Ligës së Kampionëve.

Në ndeshjen e parë kanë bërë një hap të madh. Ne do të futemi në fushë jo të dorëzuar, por të paktën të bëjmë më të mirën e mundshme përballë tifozëve tanë. Shpresoj që tifozët të jenë sa më shumë të pranishëm në stadium, që ta ndjejmë suportin e tyre, që na ka munguar prej më shumë se një viti.

Ne jemi një ekip që jemi ndërtuar këtë merkato, sepse patëm shumë largime. Duhet të kemi parasysh që, nëse do t’i lëmë shumë hapësira Bazelit, do të na ndëshkojë, pasi po flasim për një ekip me shumë kualitet. Ne e dimë që nuk kemi çfarë humbasim, por dhe hapësira nuk duhet të lëmë shumë.

Do të futemi në fushë të bëjmë lojën tonë, të jemi grup në të dyja fazat e lojës. E dimë që është e vështirë, por shpresojmë që të paktën këtu të bëjmë një paraqitje sa më e mirë të jetë e mundur.

Ne punojmë në staf, do të ulemi direkt pas ndeshjes kundër Bazelit për të diskutuar strategjinë në vazhdim. Mendoj se aty do të merret vesh se çfarë rruge do të marrë pjesa e dytë e merkatos për ne.

Nëse do të kishim kontigjentin e sezonit të kaluar do ta kishim pak me të lehtë prezantimin. Kemi menduar për sezonin e ri që kur kemi filluar fazën përgatitore për t’u përgatitur për eleminatoret e Konferencë Ligë me një grup që do të jetë pjesa dërrmuese për sezonin e ardhshëm, me afrimet që kemi bërë.

Kemi kohë për ta plotësuar ekipin, sepse dihet që Partizani ka objektiva maksimale dhe kampionati është i gjatë. Na duhet që ekipi të plotësohet më shumë për të shtuar rivalitetin, për të patur sa më pak probleme në gjithë vazhdimësinë e kampionatit.

Financat janë gjithmonë të rëndësishme për një klub futbolli, dihet që shpenzimet janë të mëdha edhe për nivelin tonë në Shqipëri. Pavarësisht se nuk më takon mua, sepse drejtoj pjesën tenike të klubit, por rikuperimi i financave do të thotë që të ketë edhe vazhdimësi. Partizani mos jetë Partizan vetëm sot për sot, por të mendohet për një Partizan edhe për vitet e ardhshme.

Një gur i fortë në këtë vazhdimësi është edhe qëndrueshmëria në financa. Në kemi një president, i cili nuk kursehet për ekipin, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe këto të ardhura të jenë në atë nivel që ka produkt kampionati shqiptar”.