Britni Church, 33-vjeçarja lindi fëmijën e saj të parë në moshën 16-vjeçare, në vitin 2004 dhe ka mbetur shtatzënë çdo vit që nga ajo kohë, duke përjashtuar 2013, 2017 dhe 2022. “Mendoj se i kam mbaruar tani lindjet e fëmijëve”, – tha Church për “TODAY” duke qeshur.

Church tha se burri i saj, Chris, 30 vjeç, me kënaqësi do të kishte më shumë fëmijë. Çifti me banim në Kansas ka sjellë në jetë Silas, 7 vjeç, Christopher Jr. 5 vjeç, trenjakët 3-vjeçarë Oliver, Asher dhe Abel, si dhe Rowyn, 11 muajsh.

Church është gjithashtu nëna e Crizman, 17 vjeç, Jordan 16 vjeç, Caleb 14 vjeç, Jace 13 vjeçe, Cadence 12 vjeçe dhe Jesalyn 10 vjeç, nga marrëdhëniet e mëparshme. Në total, Church ka pesë vajza dhe shtatë djem.

Ajo ka qenë shtatzënë për gati 98 muaj në total. Familja shpenzon çdo muaj 200 dollarë vetëm për qumësht. “Gjithmonë ka zhurmë. Dikush është gjithmonë duke bërtitur, – tha Church. – Megjithatë, kjo është normale për ne”.

Church, e cila tregon jetën e saj në TikTok, tha se njerëzit janë të magjepsur nga familjet e mëdha. Për momentin, llogaria e saj, të cilën e krijoi në vitin 2019, ka më shumë se 1.8 milionë ndjekës.

“Shumë njerëz supozojnë se jemi familje me mirëqenie, në fakt nuk jemi e tillë, – tha Church. – Marr shumë pyetje si: A je katolike? Je fetare? Unë jam Pentekostale (pentekostalizmi është një formë e krishtërimit), por kjo nuk ka të bëjë fare pse kam kaq shumë fëmijë”.

Church shtoi se është pyetur gjithashtu për lindjet e saj dhe se si ia ka dalë: “Të gjithë i kam sjellë në jetë përmes rrugës vaginale, përveç trenjakëve, lindjen e të cilëve e kreva me prerje cezariane”.

Ajo tha se nuk kishte asnjë arsye që nuk do të ishte në gjendje të mbante një shtatzëni tjetër të shëndetshme. Ajo që ka rëndësi është se çdo fëmijë të ndihet i veçantë dhe i dashur: “Ne jemi më të lumtur kur jemi të gjithë bashkë. Ulemi të gjithë rreth zjarrit, kjo jetë është e mirë”.