Mesfushori i Chelsea, Jorginho pranon se kartoni i kuq për Fikayo Tomori ishte i ashpër dhe ‘lehtësoi gjithçka’ për të tijtë kundër Milanit. Më pas tregoi se si vazhdon të gjejë forca për të ekzekutuar penallti të rëndësishme.

Kjo ndeshje u prish për shkak të një vendimi shumë të hershëm dhe mjaft të ashpër të gjyqtarit, pasi Tomori u përjashtua me karton të kuq, shoqëruar me penallti në favor të Chelsea, për një prekje të lehtë në shpatullën e Mason Mount vetëm pas 18 minutash lojë.

Jorginho e shndërroi penalltinë në gold he e gjykoi kështu rastin në fjalë: “Mendoj se ishte penallti. Ndoshta jo karton i kuq, por penallti ishte”, – qeshi Jorginho pasi dëgjoi Alessandro Del Piero dhe ekspertë të tjerë që të gjithë thonin se nuk ishte 11-metërsh.

“Natyrisht, bëhet ndeshje ndryshe kur je një gol përpara dhe luan kundër 10 lojtarëve, kjo e lehtëson gjithçka. Këtë herë ishim ne që u lehtësuam, është një fitore e rëndësishme”.

Megjithatë, grupi mbetet i hapur, pasi vetëm tri pikë ndajnë kreun nga fundi i klasifikimit aktual të grupit: “Detajet bëjnë diferencën në këtë nivel, kjo ishte dëshmi e kësaj mbrëmjeje. Një gjysmë rasti mund të ndryshojë lojën dhe rrjedhimisht rezultatin e pjesën tjetër të garës. Unë mendoj se Milani po rritet, ishte mjaft mirë sezonin e kaluar. Kuqezinjtë na krijuan probleme sonte”.

Jorginho humbi dy penallti që efektivisht i kushtuan Italisë kualifikimin në Kupën e Botës 2022, kështu që ku e gjen ai forcën për të vazhduar më tej dhe për të goditur nga pika e bardhë?

“Besoj në veten time dhe në atë që kam bërë gjithmonë, në atë që do të vazhdoj të bëj. Do të ketë gjithmonë gabime, por nëse nuk mësojmë nga gabimet, kjo është dy herë më e keqe. Gjithmonë përpiqem të mësoj nga gabimet e mia”.