Një thesar me vlerë të jashtëzakonshme është gjendur së fundmi në Itali. 24 statuja në bronz thuajse 2300-vjeçare janë zbuluar nga termat në San Casciano, në Toskanë. Në këtë projekt kaq të rëndësishëm arkeologjik, historik e kulturor kanë marrë pjesë një grup prej rreth 60 ekspertësh nga e gjithë bota.

Arkeologu Jacopo Tabolli, një një prononcim për agjencinë e lajmeve Anasa ka thënë se të gjitha statujat janë ruajtur në gjendje perfekte dhe nga 24, pesë prej tyre janë rreth një metër të larta. Në këto statuja janë gjetur shkrime në latinisht dhe në gjuhën etruske, si edhe mijëra monedha të epokës.

Ky vend ku janë gjetur statujat ishte një lloj tempulli, që shërbente edhe për mbledhje kulturore të civilizimeve të kohës dhe statujat ishin të mbyllura në pishinat 5 metra të thella të banjove termale dhe sipas ekspertëve, ky është një ndër zbulimet arkeologjike më të rëndësishme të botës antike të të gjithë Mesdheut.

Ky zbulim i madh tregon sesi kulturat e ndryshme nuk shkatërronin njëra-tjetrën, por ishin vazhdimësi e njëra-tjetrës, duke ju referuar shkrimeve dhe civilizimit të lashtë etrusk dhe më pas atij romak. Statujat janë kryesisht perëndi dhe figura mitologjike, si Apollo, perëndia e Diellit apo Igea, perëndësha e Shendetit.