Ish-partnerja e bashkëthemeluesit të “Google”, Sergey Brin ka reaguar së fundmi pas lajmeve se ajo ka qenë në një lidhje me multimiliarderin Elon Musk, duke e konsideruar jo vetëm një gënjeshtër, por edhe shpifje.

Nicole Shanahan e ka pasur këtë reagim përmes avokatit të saj, teksa në deklaratat e tij për DailyMail, ai shprehet se këto lajme janë shpifje. “Mos bëni gabim, çdo lajm se Nicole kishte një lidhje me Elon Musk nuk është vetëm një gënjeshtër, por edhe shpifje” – tha Bryan Freedman, avokati i saj.

Ka qenë “Wall Street Journal” që publikoi një raport të dielën e shkuar, teksa pretendonte se Elon Musk dhe Nicole Shanahan kanë pasur një lidhje dhjetorin e kaluar pas një takimi në “Art Basel” në Miami.

Edhe Elon Musk ka reaguar më herët për këtë lajm, ndërsa edhe ai e mohon një lidhje të tillë, duke e konsideruar si një gënjeshtër totale. Ai tregon se Sergey vijon të jetë miku i tij. “Kjo është gënjeshtër totale. Unë dhe Sergey jemi miq dhe ishim në një festë së bashku mbrëmë! Unë e kam parë Nicole vetëm dy herë në tre vjet, të dyja herët ishim me shumë njerëz të tjerë përreth. Asgjë romantike!” – tha Elon Musk.