Ai është një nga berberët më të famshëm të momentit në Shqipëri.

Jurgen Dedi është bërë i njohur për të gjithë pasi është berberi i vetëm në vendin tonë që ka hapur një ‘sallon lëvizës’ në jug të Shqipërisë, ku aplikon profesionin e tij.

Një ide gjeniale dhe mjaft e veçantë, për të cilën ka folur edhe vetë Jurgeni në një intervistë në emisionin e mëngjesit në ABC. Ai tregon se ky është viti i dytë që ai po bën diçka të tillë, teksa tashmë është një ëndërr e realizuar.

“Ideja ka qenë një ëndërr 3-vjeçare, por realizimi është bërë në një kohë të shkurtër për 15 ditë. Eksperienca e Jugut është e veçantë se askush nuk e merr përsipër një eksperiencë të tillë. Ky është viti i dytë, po këtë vit provuam Dhërmiun, duke e ditur që mund të ketë më shumë turistë. Më shumë vijnë turistë shqiptarë sesa të huaj, kryesisht fundjavave se dalin nëpër clube’’ – thotë Jurgeni.

Berberi i famshëm tregoi se veç turistëve të thjeshtë shqiptarë e të huaj, ai ka klientë edhe disa prej VIP-ave shqiptarë, si për shembull reperët Mozzik, Mato Lale dhe Gjiko. Moderatori e ngacmoi se cili prej tyre është më i vështirë për t’u qethur, ndërsa ai veçoi Gjikon për shkak të formës së kokës të vështirë.

“Të gjithë më besojnë, asnjëri nuk është tekanjozi. Gjiko është më i vështiri se ka formën e kokës ndryshe”, tha Jurgeni.