25 persona kanë marrë pjesë në një ritual të cuditshëm, por dëmtimet e pësuara kanë detyruar shumicën prej tyre të përfundojnë në spital. Ngjarja ka ndodhur në një komunë të vogël zvicerane të quajtur Au, pranë Zyrihut.

Pasi kanë ecur në prush të ndezur, 13 persona kanë patur nevojë për ndërhyrje mjekësore të menjëhershme dhe kanë shkuar në spital për kurim. Pasi ka marrë njoftim, policia ka nisur një hetim për këtë ngjarje, për të mësuar nëse këta pesona të lënduar e kanë kryer këtë rit me dëshirën e tyre apo janë nxitur nga të tjerë.

Ky rit, i ecjes zbathur mbi prush të ndezur, është një praktikë që zakonisht përdoret në zonat e Europës Lindore apo Azisë. Gjithashtu, ai përdoret edhe nga mjaft rite fetare.

Në këtë rast, disa persona kanë organizuar privatisht këtë event, ku morën pjesë mjaft të ftuar. Por përfundimi ka qenë jo ai që pritej, pasi shumë pjesëmarrës kanë patur nevojë për mjekun. Madje për të përballuar numrin e lartë të të lënduarve kanë ardhur ambulanca nga disa qytete si Zyrih, Lachen, Zugo dhe Mannedorf.