Dejan Kulusevski i kërkoi yllit me “gjelbërim të përjetshëm” të Milanit, Zlatan Ibrahimovic, të luante për Suedinë në “Euro 2020”, kompeticion i shtyrë për t’u zhvilluar verën e këtij viti prej pandemisë. Ibra nuk e ka përfaqësuar Suedinë prej më shumë se 4 vitesh, pasi u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar, mbas “Euro 2016”.

Sulmuesi 39-vjeçar, golashënuesi kryesor i Suedisë me 62 gola në 116 ndeshje, ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të kthehet për Kampionatin Europian, ndërsa vazhdon ta ndezë Serie A me Milanin e tij. Suedezi i Juventusit, Kulusevski, foli për një rikthim të Ibrahimovic, pas fitores së të dielës, 3-1 ndaj Sassuolo: “Ne i shkruajmë njëri-tjetrit. Ibra është një idhull për mua, pasi vështirë se dikush në botë mund të bëjë si ai”.

Kujtojmë se Ibrahimovic ka shënuar 10 gola në këtë sezon, ose 11 gola në të gjitha garat, teksa udhëheq Serie A me kuqezinjtë. “Kur ai flet shumë për mua, kjo më bën të punoj edhe më tepër të nesërmen në trajnim, sepse jam shumë krenar. Unë me të vërtetë shpresoj që Ibra të kthehet në kombëtare, të luajë me Suedinë në Europian. Do të ishte e mrekullueshme për mua dhe për të gjithë Suedinë. Po e ftoj publikisht: Kthehu Ibra!”

Juventusi regjistroi fitoren e tretë radhazi në kampionat, për herë të parë që nga korriku, pasi kapërceu vizitën e Sassuolo në Torino. Kulusevski erdhi nga pankina për të zëvendësuar Paulo Dybala e dëmtuar: “Kisha vetëm një gjë në mendjen time kur hyra, të fitonim ndeshjen. Unë mund të kisha bërë shumë më mirë, por jam i lumtur që morëm tri pikët. E shoh veten te Juventusi për shumë vite. E shoh veten më pranë golit. Më pëlqente pozicioni ku luajta këtë mbrëmje”.