Stina e dimrit karakterizohet nga temperatura të ulëta, ngjyra e bardhë e dëborës që vesh vendin, oxhaqe prej të cilave dalin shtëllunga tymi në çatitë e shtëpive e rrugë të mbushura plot njerëz që as i ftohti nuk i mposht për të bërë punët e tyre. E gjithë kjo panoramë e dimrit merr tjetër trajtë në periudhën e festave të fundvitit. Magjia e këtyre festave ngroh shpirtin e gjithësecilit,pavaresisht deborës së dendur; vesh qytetet me dritë dhe ndriçon njerëzit …madje dhe dashuria është më e ngrohtë. Nga e gjithë kjo atmosferë që krijohet në priremi të planifikojmë me detaje gjërat që duam dhe si i duam në këto festa. Secili prej nesh zgjedh se nga ku dëshiron të shikojë borën, nga dritarja e shtëpisë apo nga ajo e avionit; nga ku dëshiron të ndjejë dritat që mbushin qytetet, nga rrugët e zhurmshme të qyteteve të mëdha apo nga prania e një oxhaku që flakëron dhe një gotë verë e kuqe e shoqëruar me gështenja të pjekura.

Ky artikull është pikërisht për ata që vendosin të rrëmbejnë valixhet dhe të shijojnë eksperienca të reja festash nëpër botë. Ka një larmi ngjyrash e këngësh që pushtojnë botën gjatë kësaj periudhe dhe e vetmja gjë që na mbetet është të zgjedhim cilën nga këto larmi duam këtë vit.

 

Disa këshila se ku mund të udhëtoni këtë fundvit

 

  1. Rovaniemi (Finlandë)

Të gjithë padiskutim kemi dëgjuar historinë e Santa Claus, i cili pret gjithë vitin në një vend të largët ku punon me elfët e tij duke bërë që të gjitha letrat tona të përkthehen në dhurata e të na zbresin nga oxhaku ne Vigjiljen e Krishtlindjeve. Por e dini cila është gjëja më e bukur e kësaj historie? Fakti që ky vend ekziston dhe nuk është as më shumë e as më pak se Rovaniemi, qytet në Laplandën e Finlandës. Në shtëpinë e babagjyshit, siç njihet ndryshe, mund të kaloni festat më të bukura, me vizitën e fabrikës së dhuratave, bardhësinë e pafund të dëborës, shëtitje me slitë dhe spektakli magjik i Dritave të Veriut që mund të shijohet nga qëndrimi në iglot prej qelqi. Të jeni të bindur që Rovaniemi është në krye të listës si vendi ideal ku mund të kaloni festa të paharrueshme dhe krejtësisht të bardha. Pse nuk mendoni t’ia dërgoni personalisht, këtë vit, letrën tuaj Santa Claus?

 

  1. Praga (Republika Çeke)

 

Kur afron sezoni i festave të fundvitit, të gjithë kthejmë sytë nga kryeqyteti i Republikës Çeke, i cili është nga ato destinacionet që vazhdon të mbetet unik për sezonin e festave. Edhe nëse nuk është hera e parë që zgjedh të festosh aty, ka gjithmonë diçka të re për të provuar. Traditat e festave në Pragë janë të veçanta dhe kanë atë magjinë e tyre karakterizuese. I famshëm për Tregjet e Krishtlindjeve, koncertet madhështore të operas, rrugët plot drita e zbukurime, Praga është vendi i duhur për të përcjellë vitin me një gotë verë të butë në dorë. Që nga ditët e fundit të nëntorit Praga vishet me drita shumëngjyrëshe dhe rrugët mbushen me njerëz kuriozë për të zbuluar festën madhështore të Pragës, ndaj bashkohu dhe ti festës me kuriozitetin tënd këtë vit.

 

  1. Amsterdam (Hollandë)

 

Nëse keni ndërmend të kaloni Krishtlindjet më të bukura e më të ndjera ose të prisni Vitin e Ri me një menu tradicionale hollandeze atëherë zgjedhja juaj duhet të jetë Amsterdami. Qyteti nis të ndriçohet që në fund të muajit nëntor dhe dalëngadalë fillojnë të lulëzojnë pazaret shumëngjyrëshe të Krishtlindjeve, ku mund të blini objekte artizanale, lodra dhe të zgjidhni dhurata nga më të ndryshmet dhe më uniket për të afërmit tuaj. Kanalet karakteristike të Amsterdamit, të veshura me dritën e festës, Festivali i dritave që bën qytetin të duket akoma më magjik, patinazhi në akull që të bën të çlirosh veten dhe të zbavitesh pafund janë eksperienca për të mos u humbur. E gjitha kjo, për t’u finalizuar me darkën madhështore të ndërrimit të viteve, me ushqime tradicionale, këngë, kërcim dhe shoqëri të mrekullueshme – tryeza ka vend dhe për ty!

 

  1. Vjena (Austria)

 

Vjena magjike e festave, pret turistë pafund gjatë periudhës së fundvitit dhe çdokush që zgjedh të vizitojë Vjenën kthehet në shtëpi me ndjesi dhe kujtime të paharrueshme. Ndriçimi i qytetit, këmbanat e kishave, këngët e Krishtlindjeve që dëgjohen gjithandej dhe kioskat e panumërta me ushqime të ndryshme për të provuar dhe suvenire të veçanta i japin Vjenës një panoramë tjetër, kaluar magjikes. Pragu i vitit të ri ka pafund festime në rrugët e kryeqytetit austriak. Ju mund të kënaqeni me klasiken, Koncerti i Vitit të Ri; Beethoven, Mozart dhe Strauss më të gjallë se kurrë me veprat e tyre. Në natën e ndërrimit të viteve, banorët e Vjenës mblidhen në qendër të qytetit për të ecur në rrugën e Vitit të Ri; njerëzit mbushin rrugën duke qeshur e duke treguar histori pafund njëri me tjetrin shoqëruar me verë të nxehtë të zier dhe mollë të karamelizuara. Austriakët i thonë lamtumirë vitit duke lëshuar fishekzjarre shumëngjyrëshe nëpër rrugë, që ofrojnë një spektakël dritash për të gjithë nën qiellin austriak dhe pyetja e vetme është: çfarë pret për t’a shijuar?

 

  1. Paris (Francë)

 

Ajka e festave është dashuria dhe nuk kishte kurrsesi të mungonte qyteti i dashurisë. Nëse këtë vit po planifikoni të udhëtoni drejt Parisit për festat e fundvitit, thjesht bëjeni! Nuk do të pendoheni kurrë. Parisi është ëndërra e shumë njerëzve sidomos në periudhën e Krishtlindjeve. Kjo për faktin se është e pamundur t’i rezistosh atmosferës fantastike të qytetit të mbuluar nga dritat dhe magjisë që të përcjell ajri. Tregjet e Krishtlindjeve në Paris nuk mund të konkurrojnë me ato të Austrisë, Belgjikës apo Gjermanisë, por edhe ato kanë të veçantat e tyre për të cilat ia vlejnë të vizitohen. Pika kyçe e festave, që nuk do mundni të largoheni pa e admiruar, është dekori i qytetit me drita të pafundme, pemë të zbukuruara dhe të veshura me drita që ndërrojnë ngjyrat çdo gjysmë ore, do t’a bëjnë shëtitjen tuaj në Paris një arsye për t’u rikthyer. Patinazhi dhe sigurisht Disneyland janë për të mos i lënë kurrësesi pas dore gjatë vizitës tuaj, sidomos nëse udhëtoni me familjen, ndërsa për ju zogj të dashuruar, Parisi iu ofron lundrim me Senna, darkë me ushqim të mirë dhe shampanjë. Gjithashtu Kulla Eifel është një ëndërr e realizuar; të presësh Vitin e Ri në mes të galave të dritave që ofron qyteti është e pabesueshme. Sido që të zgjidhni për të festuar në Paris, ajo patjetër do të mbahet mend ndaj arratisu këtë fund viti dhe përjeto një festë plot dashuri, dritë dhe hare, që do të mbetet gjatë në memorien tuaj.

 

  1. Dubai (Emiratet e Bashkuara Arabe)

 

Siç e dimë të gjithë, nderrimi i viteve karakterizohet nga fishekzjarrët madhështorë që lënë pas vitin e vjetër dhe i urojnë mirëseardhjen vitit të ri. Dubai është vendi që di të bëjë më mirë se kushdo këtë gjë. Si një vend i besimit mysliman, i gjithë fokusi i festave të fundvitit kalon në natën e ndërrimit të viteve. Secili prej hoteleve dhe resorteve që presin turistë nga e gjithë bota përpiqen në maksimum për të ofruar shfaqjen më të bukur kur të shënojë ora 00:00 e datës 31 dhjetor. Pervec show-t më të madh të ndërrimit të viteve, në shtëpinë e qiellgërvishtësve nuk ka sesi të mungojë tryeza luksoze me ushqime, pije dhe këngë për t’i dhënë lamtumirën më perfekte vitit që lëmë pas.

Festat janë një periudhë e veçantë për secilin prej nesh. Për festa ndodh gjithmonë diçka magjike; çdo vend dhe qytet ka traditat e veta të festës. Nëse keni një mundësi për t’u bërë pjesë e festës së një vendi të ri, shfrytëzojeni dhe nuk do pendoheni kurrë. Çfarë po prisni? Ende nuk i keni bërë gati valixhet?/Alb-Spirit