Ka 4 muaj pa ekip, që kur u largua nga Ukraina prej pushtimit rus, por nuk “fle mbi dafina”. Elis Bakaj, ish-futbollisti i disa skuadrave shqiptare, pjesë edhe e kombëtares kuqezi, i ka hyrë rrugës së biznesit në Rumani.

Ai ka vendosur të investojë në Bukuresht, ku duket se do të jetojë me partneren rumune. Ka qenë “Prosport”, gazeta rumune që i ka kushtuar një shkrim këtij “driblimi” jashtë fushe të Bakajt: “Ai ka hapur një biznes në Rumani, aq më tepër që është i martuar me një rumune, Andreea.

Ish-futbollisti i Dinamos së Bukureshtit hapi dy ekskluzivitete të ‘Băneasa’, shenjë se ka plane të mëdha në vendin tonë. Është interesante që pronari i ekskluzivitetit, Gigel Păuneț, e ka marrë me shumë optimizëm këtë bashkëpunim:

Unë them se është një biznes shumë i mirë. Nuk ka lidhje me futbollin, por është një biznes shumë i mirë dhe të gjithë e njohin këtë specialitet këtu, sepse ka 15 vite në treg”. Vetë Bakaj tha për gazetën e njohur sportive rumune:

“Më pëlqen shaorma pikante. Nuk më pëlqen shumë hudhra, por e ha pikante dhe më shijon. Jam pa kontratë prej 4 muajsh dhe tani ha më shumë. Nuk e kam pasur këtë mundësi më parë, sepse merresha me futboll, por tani kam vënë ca kilogramë.

Nuk bie në sy, dukem mirë, sepse merrem me sport, bëj palestër, stërvitem. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë këtu dhe të gjithë të vijnë të hanë shaorma”.

Në fillim të këtij viti, Bakaj iu afrua një rikthimi spektakolar te “Ștefan cel Mare”: “Unë jam profesionist, kam qenë i kujdesshëm në karrierën time gjatë gjithë kohës. Duhet ta respektosh ekipin kudo që të jesh. Kam bërë më të mirën time kudo që kam qenë në karrierë. Do të shkoja aty ku është më mirë për mua dhe familjen time”.