Agjencia Europiane e Barnave (EMA) i ka dhënë dritën jeshile vaksinës “Moderna” për Covid-19. Vetë EMA e komunikoi këtë fakt. Kjo është vaksina e dytë që merr dritën jeshile nga agjencianë fjalë. Më 21 dhjetor u miratua “Pfizer-BioNtech’s”. “Vaksina Moderna është e sigurt dhe efektive. Si hap tjetër, ne do të garantojmë autorizimin e marketingut në BE”, – tha EMA në një deklaratë.

Komiteti për Produkte Medicinale për Përdorim Njerëzor nënvizon se “vlerësoi me kujdes të dhënat mbi cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës dhe rekomandoi me konsensus dhënien e një autorizimi zyrtar të marketingut me kusht nga Komisioni Europian. Kjo do të sigurojë qytetarët europianë që vaksina plotëson standardet e BE dhe vendos masa mbrojtëse, kontrolle dhe detyrime për të mbështetur fushatat e vaksinimit në nivel të gjerë”.

Si funksionon vaksina Moderna
Vaksina e Moderna u testua në 30.420 vullnetarë dhe tregoi 94.1% efektivitet në parandalimin e sëmundjes së Covid-19, sipas rezultateve të botuara në “New England Journal of Medicine”. Në raste të rënda, efektiviteti ishte deri në 100 për qind. Përveç reagimeve kalimtare lokale dhe sistematike, nuk janë identifikuar probleme sigurie. Ashtu si me vaksinën “Pfizer”, serumi i Moderna gjithashtu kërkon injeksion të dy dozave, në këtë rast 28 ditë diferencë. Agjencia rekomandoi autorizimin e kushtëzuar të marketingut për vaksinën e prodhuar nga kompania amerikane për njerëzit mbi 18 vjeç.