Enca Haxhia është pa dyshim një nga personazhet VIP më të komentuar në botën rozë shqiptare. Çdo dalje e saj publike në televizion, apo postimet në rrjete sociale përbëjnë lajm, pasi ajo di mjaft mirë se si të tërheqë audiencën e saj.
Kështu ka ndodhur edhe së fundmi, ku një postim i këngëtares shqiptare ka bërë mjaft bujë në media. Enca i bën thirrje të gjithë artistëve shqiptarë të cilët i përkasin komunitetit LGBT të dalin hapur dhe të pranojnë veten.
Në një postim në Instastory, ajo u kërkon të tregojnë veten e tyre të vërtetë, ndërsa thekson se ajo do të ishte e para që do t’i mbështeste.
“Ka ardhur koha që artistët shqiptarë homoseksualë të dalin hapur. Ndjej se kemi nevojë për pak realitet në vitin 2022 dhe shumë fansa do të ndiheshin të mbështetur nga të preferuarit e tyre.Jemi të lodhur nga ky maskilitet toksik dhe fals. Mjaft paguat modele për t’i postuar, ndaj na tregoni veten tuaj të vërtetë. Unë do të isha e para që do t’ju mbështesja sinqerisht” – shkruan këngëtarja në një postim në profilin e saj zyrtar në Instagram.
Më tej, Enca shton se askush nuk duhet t’i kërkojë asaj të ekspozojë njerëzit, pasi kjo është e gabuar. Sipas saj, njerëzit nuk duhet të jenë gjykues dhe duhet t’i lënë të gjithë të jetojnë të lirë.
“Mos më kërkoni të “ekspozoj” njerëzit. Kjo është e gabuar. Të gjithë duhet të dalin me kohën e tyre. Thjesht po them se ndihem keq për njerëzit që duhet të bëjnë një jetë të dyfishtë, nuk mund të jenë vetvetja. Bota do të ishte shumë më mirë nëse ne do të ishim jo gjykues dhe do t’i lejonim të gjithë të jetonin të lirë” – shprehet Enca.