“Më thanë fshije foton se është lëvizje politike!” – kjo është arsyeja se pse këngëtarja shqiptare me famë botërore, Era Istrefi fshiu foton ku bënte simbolin e shqiponjës në finalen e Kampionatit Botëror të Futbollit “Rusi 2018”. Menjëherë pas performancës së saj, Era publikoi në rrjete sociale një foto të tillë që shkaktoi polemika të shumta në rrjete sociale, teksa këngëtarja e fshiu nga profili i saj.

Për herë të parë, e ftuar në emisionin “Më lër të flas”, me Donald dhe Romeo Veshaj, ajo sqaroi për të gjithë publikun dhe ndjekësit e saj se pse u detyrua ta fshinte këtë foto. Një postim që mund të gjendet sërish në profilin e saj, pasi tashmë ajo e ka rikthyer sërish.

Era shpjegoi se organizatorët e FIFA-s i kanë kërkuar këngëtares ta fshinte foton, pasi cilësohej si lëvizje politike. “Njerëzit nuk duan ta dinë sesi ka qenë. 2 bilionë njerëz e kishim audiencën. Puna ime është të dal në skenë për të kënduar, ajo që mi ka ndezur ndjenjat shumë ka qenë suporti i shqiptarëve dhe kjo është përcjellë tek unë shumë.

Në një moment e bëra edhe shqiponjën sepse e ndjeva dhe ishte moment i bukur shumë, por më thanë që duhet ta fshihja se është lëvizje politike. M’i lëndoi pak ndjenjat, të them të drejtën, unë u lëndova pa fund, u ndjeva e diskriminuar. Qava, thashë pse s’mund të jem krenare? Çfarë kishte gabim, por u mundoja t’i kuptoja dhe e hoqa. Por më e rëndësishme ishte ndjenja dhe fotoja nuk kishte aq rëndësi. Por pas një viti e kam nxjerrë prapë”, deklaroi Era për herë të parë.

Në finalen e Kampionatit Botëror, Era ishte krah Will Smith dhe Nicky Jam, ku kënduan këngën zyrtare të Botërorit, “Live it Up”. Ajo njihet për një sërë hitesh, që tashmë janë botërore, ndërsa kënga më e njohur e saj është Bon Bon, një këngë që ka arritur mbi 800 milionë klikime në Youtube.