I vendosur përballë Ile de la Cite, hoteli me pishinën e brendshme më të madhe në Europë, ndodhet në Paris dhe kullon luks nga çdo pëllëmbë e brendshme e tij.

Ky është hoteli Cheval Blanc Paris, në pronësi të gjigantit francez të mallrave luksoze LVMH, i cili restauroi një ndërtesë historike Art Deco për 750 milionë euro.

Një pishinë 30 metra, një restorant Michelin me tre yje dhe një spa Dior brenda një ndërtese Art Deco janë vetëm disa nga veçoritë e një prej hoteleve më ekskluzive në botë.

Hoteli luksoz në pronësi të LVMH ofron pamje mahnitëse të horizontit të Parisit dhe ishullit Ile de la Cité, ku ndodhet Katedralja Notre-Dame.

Ndërtesa ku ndodhet hoteli strehon gjithashtu dyqanin shtatëkatëshe La Samaritaine, gjithashtu në pronësi të kompanisë, e cila u rihap vitin e kaluar pas një rinovimi të gjatë.

“Zbuloni kryeqytetin siç bëjnë zogjtë”, ky është slogani që shoqëron klientët e Cheval Blanc Paris. I vendosur pranë Senës, hoteli përfshin një kopsht të pezulluar në katin e 7-të me 650 metra katrorë gjelbërim dhe një horizont 360 gradë që ofron ndjesinë e fluturimit në qiell.

Projekti i restaurimit të ndërtesës historike u mbikëqyr nga arkitekti Edouard Francois ndërsa pjesa e brendshme e hotelit u rikrijua nga arkitekti amerikan Peter Marino, tashmë i famshëm për dyqanin Louis Vuitton në Beverly Hills.

Falë bashkëpunimit të mbi 600 artizanëve, Marino e ka shndërruar hotelin në një rezidencë luksoze tipike parisiene me 72 dhoma dhe suita, disa me pamje nga Notre Dame e Parisit dhe panoramën më të bukur të qytetit.