Autoriteti Irlandez i Privatësisë ka bërë të ditur se do të pengojë “Meta”, pronarin e Facebook dhe Instagram, të transferojë të dhënat e përdoruesve evropianë në SHBA.

Një zëdhënës konfirmoi se drafti i përkohshëm iu është dërguar rregullatorëve të tjerë evropianë të privatësisë, të cilët tani kanë një muaj kohë për të kontribuar dhe marrë një vendim përfundimtar.

Legjislacioni i fundit evropian kërkon që platformat e mëdha globale t’i mbajnë të dhënat e evropianëve në territorin evropian dhe t’i përpunojnë ato në Evropë, në përputhje me ligjet evropiane.

Kjo do të thotë ndalim i transferimit të të dhënave nga një pjesë e Oqeanit Atlantik në tjetrin, me një ndikim të rëndësishëm në biznesin e Facebook, i cili mund të mbyllë dyert e tij në Kontinentin e Vjetër.

Prej disa muajsh flitet për një mbyllje të mundshme të Instagram dhe Facebook në Evropë. Megjithatë, “Meta” është munduar edhe në të kaluarën ta shmangë këtë hipotezë, gati për të kërkuar një marrëveshje të re që nuk ka ardhur ende për momentin.

“Meta, si shumë kompani, organizata dhe shërbime të tjera mbështetet në transferimin e të dhënave midis BE-së dhe SHBA për të ofruar shërbime globale, – thotë kompania e njohur në një shënim.

– Ashtu si kompanitë e tjera, për të ofruar një shërbim global, ne ndjekim rregullat evropiane dhe mbështetemi në klauzola standarde kontraktuale e masa adekuate për mbrojtjen e të dhënave.

Bizneset, në thelb, kanë nevojë për rregulla të qarta dhe globale për të mbrojtur rrjedhat e të dhënave midis SHBA dhe BE-së në afat të gjatë. Ashtu si më shumë se 70 kompani të tjera nga një gamë e gjerë e industrive, ne po monitorojmë nga afër ndikimin e mundshëm në operacionet tona evropiane, ndërsa situata evoluon”.