Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa festoi një ditë më parë ditën e saj të lindjes.
Me miliona urime shkuan për super yllin e këngës me origjinë shqiptare, teksa ajo ka ripostuar disa prej urimeve të miqve të saj.
Por për të zbukuruar ditën e veçantë të saj nuk kanë menduar veç miqtë dhe familjarët e saj, por edhe fansat, të cilët kanë vendosur t’i bëjnë një dhuratë mjaft speciale.
Nuk dihet numri i saktë i tyre, por shumë fansa të saj janë bërë së bashku për një kauzë mjaft të veçantë. Ata kanë mbledhur mbi 1 mijë dollarë për t’ia dhuruar strehimoreve të qenve në Tiranë dhe në Prishtinë, në emër të Dua Lipës. Këto organizata janë joqeveritare, të vendosura në dy kryeqytetet shqiptare dhe kanë si qëllim kryesor mbrojtjen e kafshëve.
Kanë qenë vetë fansat e saj ata të cilët kanë bërë publike këtë dhuratë kaq të veçantë, teksa përmes një kartoline, i urojnë ditëlindjen dhe shkruajnë se kjo është vetëm një dhuratë e vogël për t’i treguar asaj se sa e duan.
“E dashur Dua! Së pari, Gëzuar ditëlindjen. Të urojmë lumturi në këtë ditë të veçantë.
Meqë ti bëre 27 vjeçe ne donim të të bënim një dhuratë të vogël. Si grup fansash kemi mbledhur 1,164 dollarë dhe kemi bërë një dhurim në emrin tënd për strehimoren e qenve të Prishtinës si dhe “Animal Rescue Albania”.
Jemi krenarë për ty dhe kjo është vetëm një dhuratë e vogël për të treguar dashurinë tonë. Gëzuar ditëlindjen, të duam shumë,”-shkruhet në postimin e fansave të Dua Lipës në Instagram.