Trajneri i Barcelona-s, Xavi, ka komentuar në një intervistë për Marca-n suksesin 3-0 të arritur nga skuadra e tij kundër Sevilla-s në La Liga të shtunën në mbrëmje.

Ish-mesfushori i katalanasve nuk i ka kursyer elozhet për të gjithë skuadrën, por në veçanti për Robert Lewandowski-n, i cili ka shënuar përsëri.

NDESHJE – “Kur kemi gjetur ritmet e duhura, e kemi zhvendosur topin më shpejt dhe kemi qenë vazhdimisht në mesfushën e kundërshtarit.

“Në përgjithësi, një ndeshje shumë e mirë. Kemi dominuar dhe kemi pasur më shumë mundësi për të shënuar më shumë gola. Skuadra është në një moment të mira. Një fitore 3-0 në fushën e Sevilla-s është një sinjal i mirë”, ka thënë Xavi.

ELOZHI – Duke folur më pas për Lewandowski-n, i cili ka shënuar përsëri: “Nuk bëhet fjalë vetëm për faktin që shënon gola, por si i luan topat, si e kontrollon situatën, si merr vendimet e duhura. E përballon mirë presionin.

“Robert është një lojtar fantastik. Na ndihmon shumë. Është një lider i vërtetë. I ndihmon të gjithë. Është një fitues dhe njëkohësisht shumë modest. Është fantastike që është në skuadrën tonë”.