Përmes një postimi në rrjetet sociale, tenisti zviceran Roger Federer ka bërë me dije se do të operohet sërish në gju dhe se do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një periudhë të gjatë. Për pasojë, fituesi i 20 grand slam nuk do të jetë në fushë në grand slam të US Open, që nis në fund të gushtit në Nju Jork.

Një lajm që ka befasuar të gjithë, por duket se operacioni është mundësia e vetme që të rishohim në fushë zviceranin. Vitin e kaluar ai u operua dy herë, duke qëndruar jashtë fushave për më shumë se një vit. Rikthimi në fushë këtë vit i zviceranit, tashmë 40 vjeç, nuk ishte ai që të gjithë prisnin.

Kam bërë mjaft kontrolle të gjurit te mjekët, që më këshilluan të operohem sërish. Do të mungoj për shumë muaj. Kjo është e vështirë për t’u pranuar por di që është gjëja e duhur për mua, pasi dua të jem i shëndetshëm, duke shpresuar që të rikthehem sërish në fushë”, tha Federer.

Jam realist dhe e di se sa e vështirë do të jetë për mua, për moshën time të bëj një tjetër operacion, por do të përpiqem”, u shpreh zvicerani.