Të financohet rindërtimi i Ukrainës me shitjen e pasurive që i janë konfiskuar oligarkëve rusë që kërkojnë t’iu shmangen sanksioneve të BE-së.

Një thesar, nga vilat te jahtet e deri te llogaritë rrjedhëse, me vlerë 200-300 miliardë euro që, sipas qëllimeve të Brukselit, do të duhet të përdoret për të dëmshpërblyer viktimat dhe rimëkëmbur qytetet e shkatërruara nga pushtimi, pak siç ka ndodhur në orët e kaluara në Mbretërinë e Bashkuara me shitjen e Chelsea-t të Roman Abramovich.

Europa, pavarësisht përçarjes së brendshme, ka besim dhe shkon drejt në rrugën e saj, duke bërë një propozim të ri për të kaluar nga sekuestro te konfiskimi i vërtetë dhe shitja në ankand të pasurive të elitës ruse që ndodhen në BE.

Objektivi i kësaj strategjie është “presion maksimal ndaj Putin dhe rrethin e tij të ngushtë”. Presidentja e Komisionit të Europës, Ursula von der Leyen, ka thënë në Twitter:

“Kush shkel sanksionet duhet të ndëshkohet nga drejtësia. Nuk do të lëmë që oligarkët të përfitojnë nga makina ruse e luftës. Pasuritë e tyre duhet të sekuestrohen dhe, ku është e mundur, të përdoren për rindërtimin e vendit”.

Është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, është paralajmërimi nga Brukseli, duke parë se, siç është evidentuar edhe nga një studim të bërë nga Parlamenti Europian pak vite më parë, BE në 15 vitet e fundit ka humbur shpesh para drejtësisë europiane në apelet e bëra kundër sanksioneve individuale.

Për këtë arsye, mes qeverive, duke filluar nga Gjermania, për momentin kërkohet kujdes për shkak të mungesës së një baze të qartë ligjore për marrjen e masave.

Deri tani, BE ka arritur të sekuestrojë pasuri me vlerë deri në 10 miliardë euro. Vetëm Italia ka sekuestruar pasuri me vlerë 2 miliardë euro. Përveç vilave të shumta në Como dhe në Sardenjë, Guardia di Finanzia ka bllokuar dhe super jahtin Scheherazade, me letra në emër të Eduard Khudaynatov, por që në të vërtetë duket se i përket Vladimir Putin-it dhe që vlen 650 milionë euro.

Jashtë BE-së, ndërkohë, ka ardhur shitja e Chelsea-t, klub në pronësi të Abramovich prej rreth 20 vitesh. Klubi, i blerë nga një grup amerikan për rreth 5 miliardë euro pas sanksioneve që kanë goditur oligarkun rus për afërsinë e tij me Kremlinin, do të vazhdojë të konkurrojë në Premier League.

Të gjitha të ardhurat nga shitja e klubit londinez do t’i shkojë një fondi bamirësie që kujdeset për viktimat e luftës në Ukrainë.