Në një postim në rrjetet sociale, Orkestra Kalush shpreh vlerësimin e saj për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ankandin e shitjes së trofeut të Eurovizionit. Oferta përfundimtare fituese erdhi nga një kompani e quajtur “WhiteBit”.

Bëhet fjalë për një kompani të specializuar në tregtimin e kriptomonedhave. Qëllimi i tyre është të zgjerojnë komunitetin e kriptomonedhave dhe të krijojnë një mënyrë të sigurt për përhapjen e tregtisë me “blockchain”.

Pronarët janë Vladimir Nosov dhe Oleg Kayin nga Estonia dhe Ukraina. Në postimin në Facebook, Orkestra Kalush thotë: “Miq, ju jeni të jashtëzakonshëm! Ne jemi mirënjohës për secilin prej jush që ka marrë pjesë në këtë ankand, veçanërisht për ekipin e ‘WhiteBit’ që e ka blerë trofeun për 900.000 dollarë dhe kësisoji janë bërë pronarë të trofeut. Lavdi Ukrainës! Lavdi Forcave të A*matosura!”

Këngëtarët e “Stefania” shpallën idenë e tyre për ta nxjerrë në ankand trofeun menjëherë pas fitores së tyre. Sipas NEXTA, Orkestra Kalush do t’i dhurojë të ardhurat për Serhiy Prytula.

Prytula është një vullnetar i ushtrisë ukrainase, i cili gjithashtu koordinoi ankandin e trofeut të Eurovizionit. Me fondacionin e tij ai mbledh fonde për të mbështetur ushtrinë ukrainase kudo që ajo ka nevojë për ndihmë.

NEXTA sugjeron se paratë e mbledhura nga ankandi për trofeun e Eurovizionit do të përdoren për blerjen e dronëve për Forcat e A*matosura të Ukrainës. Krahas ankandit për trofeun, Orkestra Kalush shiti gjithashtu kopje të kapelës ikonë rozë të Oleh Psiuk.