Trajneri i “Shenjtorëve”, Ralph Hasenhuttl , ra në gjunjë duke qarë, kur bilbili i trefishtë njoftoi fundin e ndeshjes ndaj Liverpool. Fitorja ndaj kampionëve të Premier League dhe Jurgen Klopp e mbushi me emocione të jashtëzakonshme trajnerin e Southampton, që regjistroi fitoren më të madhe që kur mbërriti në atë stol, më 2018.

Hasenhuttl është krahasuar me Klopp për stilin e tij menaxherial të çuditshëm, duke pasur emocione gjatë gjithë lojës. Austriaku e ka përshkruar homologun e tij gjerman si një model frymëzimi në të kaluarën. Për njeriun e quajtur dikur “Alpine Klopp”, fitorja ndaj trajnerit të Liverpool-it e ka lumturuar dhe emocionuar pa masë.

Hasenhuttl këmbënguli se ishte vetëm era e ftohtë që e bëri të dukej sikur po qante, megjithëse nuk jemi të sigurt për këtë: “Kishte lot në sytë e mi, për shkak të erës! Kur i shihja djemtë duke luftuar me gjithçka që kanë, kjo më bëri vërtet krenar. Ju duhet të keni një lojë perfekte kundër Liverpool-it dhe mendoj se e bëmë atë.

Ndihej sikur ishim nën presion masiv dhe mbrojtja rreth zonës ishte çelësi sot. Pastaj, provuam të luajmë futboll. Ne e bëmë këtë në një mënyrë të mirë. Ishte një lojë intensive, jam ngjirur, zëri im është zhdukur pothuajse. Djemtë janë të lodhur, duhet sakrificë për të fituar kundër një ekipi të tillë. Djemtë besuan në atë që po bënin. Në minutën e 92-të mendova: në rregull, mund të jetë diçka për ne. Është një mbrëmje perfekte”.