Kur ish-lojtari i Real Madridit, Hamit Altintop dhe ish-lojtari i Barcelonës Yaya Touré filluan të përzienin goglat e shortit më 25 gusht, ata përvijuan një panoramë shumë kërkuese për Barçën. “Grupi i vdekjes” u konsiderua për shumëkënd ai ku merr pjesë Bayern Munich, Barcelona dhe Inter, në Champions League. Tre kampionë të Europës në kohët e fundit, bashkë. Tre gjigantë të kontinentit të vjetër në kërkim të dy vendeve të para, që vlejnë kalimin në 1/16 finale.

Xavi dhe ekipi i tij ishin të vetëdijshëm se duhej të ecnin hap pas hapi, të rriteshin si ekip dhe të përpiqeshin të merrnin rezultate. Pas fitores fillestare ndaj Viktoria Plzen (5-1), humbja ndaj Bayernit la një shije të hidhur. Zemërimi për rezultatin u “sheqeros” disi nga shpresa për rastet e krijuara dhe imazhin e dhënë.

“Inpute” pozitive që duhej të miratoheshin në “San Siro” xhiron e tretë të fazës së grupeve. Ishte koha për ta lënë Interin të trishtuar, por realiteti rezultoi ndryshe. Humbja ndaj skuadrës zikaltër i përkeqësoi edhe më gjërat, aq sa sonte vlen i vetmi rezultat për të mbetur “gjallë” në Champions, fitorja.

Skenari aktual, i keq për Xavi dhe Barcelona, është shumë më apokaliptik sesa do të ishte dëshiruar. Sonte i hyn në punë vetëm fitorja ndaj Interit në “Camp Nou”. Fitoni, fitoni dhe fitoni, siç thoshte i madhi Luis Aragonés në atë kohë në një kushtrim publik, që tani do të mbetet në histori.

Një top-ndeshje që mund të gjenerojë ankth ose presion në dhomën e zhveshjes blaugrana. Një test i parakohshëm “acid” për këtë Barçë të re të Xavi. “Sigurisht që ka presion dhe vështirësi, por ne do ta përballojmë duke qenë të guximshëm, personalitet, nuk na ka mbetur zgjidhje tjetër”, – tha dje Xavi Hernandez në konferencën për shtyp.

Në një kalendar kaq të ngjeshur dhe pasi kanë luajtur pak më shumë se 48 orë në La Liga (Inter do të ketë 30 orë më shumë se Barça për t’u përgatitur për ndeshjen, pasi luajti të shtunën në orën 15:00), katalanasit nuk kanë mundur të përgatiten si duhet për duelin. Sigurisht, skuadra e Barcelonës ka rishikuar dhe analizuar gabimet që bëri në kryeqytetin lombard.

“Basti” për Raphinha brenda dhe Marcos Alonso si titullar i korsisë së majtë nuk funksionoi. As ekipi nuk ishte në gjendje të lidhej me Lewandowski apo të depërtonte në “murin Italian”. Tre qendërmbrojtësit (Bastoni, De Vrij dhe Skriniar) e neutralizuan sulmuesin polak. Dembélé u akuzua për shkak të mungesës së ideve.

Frenkie de Jong mund të jetë risia kryesore në formacionin startues të mbrëmjes së sotme. Me eksperiencën negative të ndeshjes së parë dhe në pritje të një Interi edhe më të mbyllur, nëse është e mundur, fiton moduli 3-4-3. Mes atij sistemi apo 4-3-3 klasik është çështja.

Edhe pse ky opsion i dytë vështirë se do të nënkuptonte futjen e ndryshimit të detyruar të Pique për Christensen në boshtin e pasëm. Fitorja dhe ringjallja e shpirtrave përpara “El Clasico” janë objektivat e pandashëm të një nate tejet vendimtare.