Tani që temperaturat kanë nisur të ulen, disa prej nesh kanë nisur të kthejnë kondicionerët nga e ngrohta, teksa disa të tjerë kanë gjetur si mënyrë për të qëndruar ngrohtë batanijet elektrike.

Kjo është një zgjidhje që po preferohet gjithnjë e më shumë kohët e fundit, teksa të ofron edhe një gjumë e rehati shumë të mirë, aq sa në ditët e ftohta të dimrit, ngritja nga krevati bëhet e vështirë.

Mirëpo, duhet të dini që batanijet elektrike nuk janë shumë të sigurta, por nëse ndiqni dhe i kushtoni vëmendje disa gjërave, ekspertët thonë se nuk keni se pse të keni frikë.

Batanijet elektrike janë prodhuar me sistem sigurie të integruar, por rreziku sërish qëndron, pasi deri përpara disa vitesh, rreziku kryesor që na kanosej ishte nga zjarri, ndërsa tashmë ekziston edhe frika e goditjeve elektrike. Për këtë arsye, kontrolloni mirë sipërfaqen për ndonjë dëmtim apo gërvishtje kur blini këtë batanije.

Por, këshillohet që disa kategori si bebet, fëmijët e vegjël, njerëzit që vuajnë nga zemra e diabeti, dhe të moshuarit të mos flenë me batanijen elektrike të futur në prizë, por ta përdorin atë për të ngrohur shtratin përpara se të shtrihen.

Kini parasysh disa gjëra që duhet të bëni në momentin që vendosni të përdorni një batanije elektrike. Së pari, mos e aktivizoni atë sa është ende e palosur dhe nëse ka dëmtime. Mos e prekni nëse i keni këmbët ose duart e lagura dhe mos e përdorni batanijen elektrike te shtretërit e palosshëm. Gjithashtum nëse batanija juaj është më e vjetër se 10 vjet, bëni mirë ta zëvendësoni.