Boksieri shqiptar Florian Marku ka fituar titullin e përkohshëm kampion bote në kategorinë WBC Silver, në peshën “welter”, pas fitores me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj meksikanit Miguel Parra Ramirez, sfidë që u zhvillua mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Ky është suksesi i 12-të në karrierë për boksierin nga Lushnja, që ka edhe një barazim, duke qëndruar kështu i pamposhtur në ring. Ndërsa për rivalin nga Meksika, kjo është humbja e tretë në karrierë, ku numëron edhe 21 fitore e 1 barazim.

Përballë 12 mijë shikuesve që e mbështetën gjatë gjithë kohës, Florian Marku nuk zhgënjeu, duke bërë një duel të mirë dhe duke festuar triumfin në ringun shqiptar. Një duel i vështirë për Marku, të cilin “Albanian King” e dominoi shumicën e raundeve, duke e merituar fitoren.

Për Florian Marku, ky është titulli i dytë, pas atij të IBF International. Boksieri shqiptar tregoi aftësitë e tij në ring, në një duel me 10 raunde, ku ishte më agresiv se kundërshtari i tij dhe u mbrojt mirë. Parra u përpoq të befasojë lushnjarin, por pa sukses, duke mos qenë në lartësinë e Marku.

Në 2-3 raundet e para, sfida duket e ekuilibruar, me boksierët që mbrohen mirë. Parra shfrytëzon faktin që është më i gjatë për të mbajtur larg Markun, që në raundin e katërt pëson një të carë pranë syrit të majtë. Ndërkohë që, më herët në atë raund, Parra bie në tapet.

Pas raundin të 5-të është Marku që ka një epërsi të lehtë dhe në të shtatin i shkakton një të carë të madhe në fytyrë meksikanit, poshtë syrit të djathtë. Nga ky moment, sfida bëhet mjaft interesante, me Marku që bie në tapet në raundin e tetë dhe rrezikon disi.

Dy raundet e fundit janë të Markut, që godet disa herë rivalin dhe mbrohet mirë, duke siguruar pikët e nevojshme për të fituar sfidën. Gjyqtarët japin pikët e tyre të tre për Markun. Më pas, nis festa e madhe kuqezi në stadium, me Markun dhe fansat e shumtë shqiptarë.

Sfida e zhvilluar në “Air Albania” ishte një spektakël, ku të gjithë të pranishmit shijuan një mbrëmje të bukur boksi, me 11 duele në total. E ku natyrisht, “qershia mbi tortë” ishte suksesi i Markut, që tashmë I afrohet edhe më shumë objektivave edhe më të mëdha në karrierën e tij.