Florjan Binaj është pa dyshim një nga aktorët legjendarë të programit të humorit ‘Portokalli’. Prej më shumë se dy vitesh, ai nuk është më pjesë e emisionit të humorit, teksa tashmë e shohim të moderojë programin investigativ ‘Piranjat’.

Së fundmi, në një intervistë për “Natën me Aulonën” Flori zbuloi se ka në plan ta risjellë personazhin e famshëm të Portokallisë, ‘Policin’ dhe jo në spektakle humori, por në filma ose teatër. Ndër të tjera, Flori foli edhe për largimin nga “Portokalli”, duke thënë se e ka menduar prej vitesh derisa vendosi.

“Ka qenë një vendim që e kam menduar prej vitesh, por nuk gjeja momentin. Më është dashur kohë e gjatë të merrja vendimin për t’u larguar. Nuk donin të më mbanin, pashë një mungesë vullneti nga institucioni për t’i zgjidhur gjërat në mënyrën e duhur dhe e vetmja mënyrë ishte te hapja krahun dhe të parakaloja, secili në rrugën e vet”-tregoi aktori i njohur.

Flori rrëfeu gjithashtu dhe shkakun që e shtyu të largohej përfundimisht nga spektakli i humorit. Aktori tregoi se ai e kishte kuptuar që nuk donin ta mbanin më dhe kështu i “parakaloi” duke u larguar ai i pari nga programi që e bëri shumë të famshëm.