Gara e Çmimit të Madh të Australisë në Formula 1, e parashikuar më 21 mars, gara që çel sezonin 2021, rrezikon të shtyhet për shkak të pandemisë Covid-19. Sipas “Autosport”, rregullat e ashpra anti-Covid që janë në Australi (2 javë karantinë për këdo që vjen në Australi) vënë në rrezik garën e parë sezonale.

Këto rregulla të ashpra i vuajti edhe grand slam i Australian Open në tenis, që u shty 3 javë dhe do të nisë më 8 shkurt. Për pasojë, edhe gara e Australisë në Formula 1 rrezikon të shtyhet dhe mund të zhvillohet në fund të sezonit, në dhjetor 2021. Ndërkohë, ende nuk kanë dalë në shitje biletat e kësaj gare.

Nëse zyrtarizohet shtyrja e garës së Australisë, atëherë botërori i Formula 1 do të nisë një javë më vonë, 28 mars, në Bahrein. Vjet, gara e Australisë u anullua pak orë para se të nisnin provat zyrtare, kur dhe u verifikuan rastet e para me koronavirus, duke krijuar mjaft polemika.