Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka reaguar për herë të parë pas vlerësimit që mori nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Kreu i shtetit e dekoroi këngëtaren shqiptare me titullin “Naim Frashëri” për mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale.
Teksa ka ndarë disa foto nga ceremonia, Rita shprehet se është një nder i madh për të marrja e titullit “Naim Frashëri” ndërsa shton se ky është një moment i jetës së saj që nuk do ta harrojë kurrë.
“Ka disa gjëra në jetë që nuk i harron kurrë, ky udhëtim do të jetë një prej tyre. Sot ka qenë një ditë joreale. Unë pata nderin e madh të merrja titullin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bajram Begaj.
Kjo është diçka që u jepet shqiptarëve dhe qytetarëve të huaj për veprat dhe veprimtaritë e tyre të vlefshme në shkencë, art dhe kulturë. Faleminderit shumë nga zemra”, shkroi Rita.