Akuzat skandaloze të vëllait të Paul Pogba ndaj lojtarit të Juventusit kërcënojnë të prishin paqen dhe harmoninë e Kombëtares së Francës përpara Botërorit të Katarit 2022.

Mathias Pogba akuzon vëllanë e tij të vogël, të cilin e quan “tradhtar”, se i është drejtuar magjisë për të dëmtuar shokun e tij të kombëtares, Kylian Mbappé.

“L’Equipe” e përshkruan polemikën mes vëllezërve Pogba si “një rast sa të ndyrë, aq edhe potencialisht shkatërrues (përçarës) për Les Bleus”.

Didier Deschamps do ta japë listën e tij për Ligën e Kombeve më 15 shtator. Këto janë ndeshjet e fundit para Kupës së Botës, me dyshimin nëse do ta thërrasë Paul Pogba (po rikuperohet nga një dëmtim i rëndë i meniskut në gjurin e djathtë).

“Por edhe nëse Pogba nuk arrin në kohë prej dëmtimit, Deschamps do të duhet të përballet me stuhinë mediatike që njoftohet kur hapet një hetim për kërcënime dhe tentativë zhvatjeje nga një bandë e organizuar”, – tha Vincent Garcia në “L’Equipe”.

Revista prestigjioze sportive franceze krahason ndikimin që mund të ketë rasti i vëllezërve Pogba në kombëtaren franceze me aferën e shumëdiskutueshme të Karim Benzema dhe Mathieu Valbuena më 2015. Në Francë ka shqetësim se si ky rast mund të ndikojë në performancën e Paul Pogba, madje edhe të Kylian Mbappe, pasi është prekur nga fjalët e Mathias, që Paul i ka mohuar.

Në nëntor 2021, Benzema u shpall fajtor për bashkëpunim në përpjekjen për të shantazhuar ish-bashkëlojtarin e tij Mathieu Valbuena me një video intime.

Lojtari i Real Madridit u dënua me një vit burg me kusht, të cilin do ta vuajë në rast përsëritjeje, dhe gjobë prej 75 mijë eurosh.

Gjatë procesit, avokatët e Benzema mbrojtën tezën se veprimi i futbollistit ishte ekskluzivisht për të ndihmuar Valbuena, pa asnjë qëllim të keq.

“L’Equipe” raporton se një video është prova e Mathias Pogba që Paul Pogba mund të kishte punësuar një marabout (mësues fetar mysliman) për të dëmtuar Kylian Mbappé duke aplikuar magji.

“Dy muaj e gjysmë para Kupës së Botës, Deschamps gjendet në një situatë shumë problematike, në të cilën do të duhet të vendosë. Edhe nëse vërtetohen faktet, ai nuk do të ishte në favor të Pogba apriori”, – raporton Vincent Garcia.

Për momentin FFF (Federata Franceze e Futbollit) ka treguar mbështetjen e saj të plotë për Paul Pogba.