Zidane ka dhënë një konferencë për shtyp në “Valdebebas”. Përveç ndeshjes së nesërme kundër Valladolid dhe lëndimeve të shumta, deri në tetë, të cilave iu është bashkuar edhe Benzema, trajneri francez foli edhe për gjëra të tjera. I pyetur mbi shpërthimin e Mbappé dhe Haaland në Champions, Zidane e bëri të qartë se i ka shijuar të dy, ndërsa askush nuk duhet të jetë i befasuar nga shfaqja e sulmuesit të PSG-së në “Camp Nou”.

Valladolid në fokus – “Kjo është e qartë. Ne bëjmë gabim të madh nëse mendojmë për të mërkurën e ardhme, në Champions. Kemi pasur një javë shumë të mirë dhe duhet ta tregojmë këtë në fushën e lojës”.

Si është Benzema – “Nesër nuk do të jetë me ne. Ai ka diçka, një bezdi dhe nuk duam të rrezikojmë”.

Paraqitja e Mbappé – “Unë i shikoj të gjitha ndeshjet dhe kënaqem kur shoh gjëra të mira. E shijoj futbollin si të gjithë tifozët”.

Rinovimet dhe transferimet – “Të gjithë mund të kenë një mendim për gjërat. Ne duam të rregullojmë situatën e rinovimeve, pastaj do të diskutojmë se kush mund të vijë. Kjo histori nuk do të ndalet kurrë”.

Mbappé dhe Haaland po zëvendësojnë Messi dhe Cristiano – “Do të shohim, por ata janë shumë të mirë, si Messi, Cristiano dhe Neymar. Janë lojtarë më të rinj, të së tashmes dhe së ardhmes”.

La Liga, jo më e forta në Europë – “Unë nuk mendoj kështu. Këtu nuk do të fitoni lojëra të lehta, kundër asnjë ekipi. Nëse jeni të përqendruar dhe të angazhuar, mund të fitoni, nëse ndodh ndryshe, askush mund të të fitojë. Besoj se La Liga është akoma e fortë, një kampionat i shkëlqyer”.

Dëmtimet – “Kjo është situata. Ne duam t’i shmangim sa më shumë lëndimet, të gjithë po përpiqen, por ka shumë faktorë që ndikojnë. Është e vërtetë që kohët e fundit, fati nuk kanë qenë me ne në këtë drejtim. Ka shumë të lënduar, tani edhe Karim. Na duhet të jemi të durueshëm dhe të japim më të mirën sipas situatës”.

Cilin preferon, Mbappé apo Haaland – “Epo, siç po thosha, ajo që më pëlqen është të shoh lojtarë të mirë. Ata janë dy lojtarë të së tashmes dhe së ardhmes, por nuk do të përgjigjem cilin preferoj. E rëndësishme është se kemi fatin t’i shohim duke luajtur”.

Zidane, një idhull i Mbappé – “Unë tashmë jam përgjigjur shumë herë për këtë”.

Mesazh presidenti Perez për të nënshkruar me Mbappé – “Unë nuk dërgova asnjë mesazh, por tifozët kanë të drejtë të kenë një mendim, natyrisht. Nëse dua ta shoh Mbappe në Madrid? Nuk do të futem në këtë. Të gjithë flasin për lojën e tij, ajo që Mbappé ka bërë nuk është për t’u habitur, sepse e njoh mirë”.