Boksieri amerikan Deontay Wilder, ish-kampion bote në peshën e rëndë dhe një nga ikonat e këtij sporti, ka folur për mediat në lidhje me një duel të mundshëm të unifikimit të titujve kampionë bote në këtë Divizion mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk. Të dy këta boksierë janë kampionë bote në peshën e rëndë dhe të pamposhtur.

Edhe Wilder u shpreh se kjo sfidë është e pashmangshme dhe bën parashikimin e tij. “Le ta organizojnë këtë përballje, do të jetë një sfidë e madhe. Kush fiton? Unë mendoj se Tyson Fury, pasi është shumë më i madh se Usyk. Ai e përdor këtë faktor si një armë si dhe shumë gjëra të tjera”, tha Wilder.

Gjithashtu mendoj se Usyk ka një problem me qëndrueshmërinë. Nëse Joshua do të kishte mjaft qëndrueshmëri, ndoshta do të kishte arritur një rezultat tjetër. Ky është mendimi im për të. Unë jam gati të përballem me të dy dhe këdo tjetër, pasi kjo është detyra e një boksieri. Mbreti është rikthyer”, tha Wilder.