Patrick Paumen, një roje sigurie holandeze, shkakton bujë sa herë që paguan diçka në një dyqan apo restorant. Kjo pasi 37-vjeçari nuk ka nevojë të përdorë bankomatin apo celularin për të paguar. Thjesht vendos dorën e majtë pranë lexuesit të kartave pa kontakt dhe pagesa do të jetë e suksesshme.

“Reagimet që marr nga arkëtarët janë të paçmueshme!”, komentoi z. Paumen. Ai është në gjendje të paguajë me dorë sepse në vitin 2019 i është futur një mikroçip nën lëkurë për pagesë pa kontakt.

“Një mikroçip nga një kompani britaniko-polake e quajtur Walletmor bën të mundur pagesën. Mikroçipi është sa një kokërr orizi dhe është i lehtë për t’u instaluar. Kjo procedurë është e ngjashme me aplikimin e një majë në lëkurë”, shpjegoi Paumen.

“Objekti mund të përdoret për të paguar një pije në plazh në Rio, një kafe në Nju Jork, një prerje flokësh në Paris ose në dyqanin tuaj ushqimor lokal,” tha themeluesi dhe CEO Wojtek Paprota. “Ai mund të përdoret kudo ku pranohen pagesa pa kontakt”.

Çipi Walletmor, i cili peshon më pak se një gram dhe është pak më i madh se një kokërr orizi, përbëhet nga një mikroçip i vogël dhe një antenë e mbyllur në një biopolimer, një material me origjinë natyrore, i ngjashëm me plastikën. Paumen gjithashtu ka futur gjithsej 32 çipa në trup për përdorime të ndryshme, për shembull për të hapur dyer.

“Teknologjia vazhdon të evoluojë, kështu që unë vazhdoj të mbledh më shumë. Nuk do të doja të jetoja pa to”, tha ai për BBC. “Implantet përmbajnë të njëjtin lloj teknologjie që njerëzit përdorin çdo ditë. Nga telekomanda te dyert e hapura, te kartat bankare apo kartat për transportin publik”.