Inter ka dalë i dërrmuar nga derbi kundër Milan-it, i fituar me rezultatin 3-2 nga kuqezinjtë. Një tjetër humbje kundër një rivali të drejtpërdrejtë në kampionat për skuadrën e Inzaghi-t pas disfatës të pësuar në Romë kundër Lazio-s.

Blackout fatal në fillimin e pjesës së dytë për formacionin zikaltër, siç ka thënë edhe vetë trajneri Inzaghi. Zikaltërve nuk u ka mjaftuar reagimi në pjesën e fundit të ndeshjes, me golin e Dzeko-s që ka rihapur vetëm pjesërisht takimin.

Mbrojtja interiste nuk jep për momentin siguritë e sezonit të kaluar me De Vrij, Bastoni dhe Skriniar që kanë qenë në vështirësi të dukshme në derbi kundër Giroud dhe Leao.

Inter ka pësuar tetë gola në vetëm pesë ndeshje: shumë për një skuadër që ka ambicie edhe këtë vit për të luftuar për titullin.

Nën akuzë ka përfunduar edhe kapiteni Handanovic, edhe pse krahasimi me rivalin Maignan ka qenë i pamëshirshëm, me francezin e Milan-it që ka qenë vendimtar në disa raste në fundin e ndeshjes duke shpëtuar rezultatin dhe duke i dhuruar tri pikët ekipit të Pioli-t.

Kështu, tifozët janë kthyer të kritikojnë sllovenin: disa kanë kërkuar që Onana të marrë vendin e tij në formacionin titullar, të tjerë kanë drejtuar gishtin nga Inzaghidhe klubi për rinovimin e muajve të kaluar.

Kanë qenë të paktë ata që kanë dalë në mbrojtje të Handanovic, i cili ka përfunduar në bankën e të akuzuarve ashtu si pjesa tjetër e mbrojtjes zikaltër.