Gabimet në shortet e llotarive (lojrave të fatit) ndonjëherë zhgënjejnë pa masë disa lojtarë që fillimisht duken si fitues, por në fund nuk janë të tillë. Ndonjëherë, garuesit e gabojnë ditën në short apo edhe vonohen kur vjen puna për të marrë një biletë.

Por ka edhe dështime kompjuterike që bëjnë që lojtarët të blejnë bileta të gabuara. Në fakt, amerikani Josh Buster fitoi xhekpotin në një short kombëtar të “Mega Millions”, sepse një makinë që lëshonte biletat ishte prishur dhe printoi të njëjtat numra në të gjitha biletat.

Diçka e ngjashme ka ndodhur me Margaret De Micheli, një pensioniste nga Mbretëria e Bashkuar, e cila për një moment besoi se kishte fituar gati 40 milionë euro në shortin e “EuroMillions”, raporton “Mirror”.

Iluzioni i saj ishte i tillë sa kishte imagjinuar të lëvizte në një vend tjetër dhe të linte shtëpinë e lagësht. Megjithatë, kkthimi në realitet ndodhi kur administrata i tha asaj se nuk ishte fituese. Kush ishte fajtor për gabimin në fjalë?

Më 29 mars, De Micheli vendosi të luante “EuroMillions”. Më vonë, kur ajo u ndal në një zyrë postare për të kontrolluar rezultatin e lojës, iu dorëzua një faturë ku thuhej se ishte fituesja e xhekpotit.

Në atë moment ajo u emocionua duke menduar se më në fund mund të largohej nga banesa plot myk ku jetonte me të shoqin dhe se ai do të kishte mundësi të dilte në pension. Megjithatë, ëndrrat e saj u venitën kur kontrolloi sërish biletën dhe iu tha se numrat nuk ishin të saktë.

“U mrekulluam për pak, por pastaj u kthyem në normalitetin e përditshëm. Bashkëshorti im vazhdon të punojë si agjent trafiku”, – tha ajo në gazetën britanike. Pavarësisht se nuk e fituan çmimin, ata tashmë kanë plane për ta rinovuar banesën e tyre me atë që mund të kursejnë gjatë gjithë vitit.

Qytetarja britanike nuk i humb shpresat dhe ka siguruar se do të vazhdojë të luajë lojëra të tjera të ngjashme fati për të përmbushur ëndrrën e saj për të jetuar në ndonjë shtëpi buzë detit.