Trajneri i PSG, Christophe Galtier, mori rolin e “busullës” së transferimeve në konferencën shtyp. Kryepankina e parizienëve bëri të ditur të ardhmen e Paredes, gjithashtu atë të portierit Keylor Navas, objektiv i Napolit:

“Paredes nuk do të jetë në grup për ndeshjen e nesërme, ka gjetur marrëveshje me Juventusin. Koka e tij është diku tjetër, edhe nëse figuron ende lojtar i PSG-së. Mora vendimin që të mos e përfshij në grup, sepse nuk ia vlen për një lojtar që mund të largohet nga klubi ynë 24 orë më vonë. Navas tani është portier i PSG-së dhe do të jetë me ekipin”.

Duke qëndruar në temën e merkatos, Galtier foli edhe për objektivin e parizienëve, Fabian Ruiz, lojtar i Napolit: “Kemi kohë që po e vëzhgojmë Fabian Ruizin, ka negociata mes palëve. Ende nuk është asgjë zyrtare. Nuk duhet të nxitohemi, ne kemi parë tashmë firma të premtuara dhe në fund s’janë hedhur mbi kontratë”.

Milan Skriniar është një tjetër prioritet i PSG-së, negociatat me Interin janë të komplikuara, por Galtier nuk e ngre “flamurin e bardhë”: “Nuk mund t’ju them se ka përfunduar plotësisht. Ka gjithmonë surpriza në merkato, sidomos ditët e fundit. Skriniar është një lojtar që e kemi ndjekur për një kohë të gjatë. Negociatat me Interin janë shumë të vështira, duhet të respektojmë pozicionin e zikaltërve, por gjithçka është e mundur”.

Edhe çështja “Pogba mallkon (i bën magji) Mbappe” u diskutua në konferencën për shtyp, por u mbyll pa shumë fjalë nga trajneri parizien: “Ai është në humor të mirë. Lexova se çfarë po ndodhte me Paul Pogba, por Kylian nuk tregon asnjë shenjë bezdie apo meraku”.