Gisele Bundchen ka bërë disa rrëfime te reja në lidhje me karrierën e saj të gjatë dhe jashtëzakonisht të suksesshme si modele.

Fillimet nuk kanë qenë aspak të lehta për të, siç ka kujtuar vetë ajo në një intervistë të dhënë për revistën prestigjioze Vogue.

41-vjeçarja ka folur për episodin më të vështirë të karrierës së saj: ka qenë vetëm 18 vjeç dhe i është dashur të bëjë një sfilatë me gjoksin e zbuluar për Alexander McQueen.

Reagimi i menjëhershëm i modeles së re ka qenë të shpërthejë në lot. “Kisha disa pupla të ngjitura që po shqiteshin nga trupi dhe grimieria më thoshte ‘të lutem, mos qaj!'”, ka thënë Bundchen.

“Kam sfiluar duke menduar gjatë gjithë kohës: ‘Shpresoj që babai im të mos më shikojë më kështu’. Gjithçka që doja ishte të largohesha, por është një nga ato gjëra që të bën më të fortë”.

Ajo sfilatë ka qenë një mundësi e madhe për gruan e Tom Brady, që për një periudhë shumë të gjatë nuk është marrë në konsideratë nga stilistë dhe dizajner.