Lakuriq, i dehidratuar dhe hipotermik, por ende i gjallë. Kështu u gjet djaloshi tetëvjeçar me aftësi të kufizuara, i cili u zhduk më 17 qershor nga Oldenburg i Gjermanisë, teksa ndodhej në oborrin e shtëpisë. Por ajo që tronditi hetuesit është mbi të gjitha vendi ku u gjet: Në një pus 300 metra larg shtëpisë. Aktualisht policia po përjashton hipotezën e rrëmbimit. Duket se fëmija ka arritur të hyjë vetë në kanalizime dhe më pas të humbasë.

Konstatimi – Siç raportojnë gazetat lokale, policia beson se fëmija mund të jetë ngjitur vullnetarisht në një tub kullimi afër shtëpisë dhe më pas ka humbur orientimin e tij brenda kanaleve të kanalizimeve. Kërkimet e policisë kishin nisur menjëherë, pa rezultat. Ai u gjet nga një kalimtar i rastit, i cili dëgjoi rënkime që vinin nga poshtë një pusi dhe lajmëroi autoritetet.

Gjendja e tij – Pas mjekimeve të para në vendin e zbulimit, fëmija është shtruar në spital në gjendje të rregullt, pa lëndime të rënda por në gjendje të lehtë hipotermie. Siç raportojnë mediat vendase edhe babai ka konfirmuar se djali është mirë. Hipotezat se fëmija ishte parë së bashku me një të rritur, supozime që u shfaqën ditët e fundit, tashmë konsiderohen të pavërtetuara.