Nëndetësja indoneziane e zhdukur më 21 prill në afërsi të brigjeve të Bali, është gjetur orët e fundit. Për fat të keq, të 53 anëtarët që ishin në bordin e saj kanë humbur jetën. Nëndetësja KRI Nanggala 402 është gjetur e ndarë në tri pjesë.

Shefi i aviacionit indonezian, Hadi Tjahjanto, që merrte pjesë në kërkime, tha se skuadrat e kërkim-shpëtimit kanë gjetur nëndetësen në rreth 850 metra thellësi. Pamjet e bëra në atë thellësi konfirmojnë tragjedinë nënujore.

Janë gjetur në sipërfaqe edhe disa sende të ndryshme që i përkisnin nëndetëses, ku shpresohej deri në fund për ndonjë të mbijetuar, por pa sukses. Ende nuk dihen shkaqet e mbytjes së nëndetëses, që ishte në një stërvitje ushtarake.

Mendohet se një defekt në sistemin elektrik ka sjellë bllokimin e komandave të drejtimit të mjetit lundures, që pasi ka rënë në një thellësi 400 metra nuk ka patur mundësi të manovrojë më dhe presioni i ujit ka bërë që nëndetësja të shkatërrohet.