Gjumi është thelbësor për shëndetin e trupit tonë, duke përfshirë edhe trurin. Kur të zë gjumi, aktivizohet ekuivalenti neurologjik i ciklit të pastrimit të thellë të lavastoviljes.

Së pari, aktiviteti i miliarda qelizave të trurit fillon të sinkronizohet. Siç raporton Greenme.it së bashku me këto “valë të ngadalta”, gjaku fillon të rrjedhë brenda dhe jashtë trurit, duke lejuar që impulset nga lëngu cerebrospinal (CSF) të hyjnë dhe të shtyhen përmes indit të trurit, duke bartur mbetjet molekulare të grumbulluara gjatë ditës. .

Nuk është rastësi që shumë thonë se kur nuk flenë mirë, kanë pasoja në humor dhe gjithashtu në kujtesë. Gjumi i mirë është në fakt i lidhur me shëndetin e trurit. Ja çfarë thonë shkencëtarët: “Gjumi nuk është thjesht një gjendje ku gjërat mbyllen. Gjumi është një gjendje shumë aktive dhe duket kritike për shëndetin e trurit”.

Të mos flesh mirë do të thotë që mund të grumbullohen nënprodukte toksike, duke rritur gradualisht rrezikun e demencës dhe sëmundjeve të trurit. Në vitin 2012, mjekët gjetën një seri kanalesh të vogla që rrethojnë enët e gjakut në tru, të quajtur sistemi glifatik, që lejojnë filtrimin dhe eliminimin e mbetjeve.

Ky sistem është thelbësor sepse neuronet janë shumë aktivë gjatë ditës dhe prodhojnë mbetje që duhen eliminuar, si beta-amiloide, një proteinë toksike që grumbullohet në trurin e pacientëve me Alzheimer dhe prish funksionin e qelizave të trurit.

Një sasi dukshëm më e madhe e amiloid-beta “pastrohet” nga truri pikërisht kur flini. Ky sistem i pastrimit të trurit shërben për të eliminuar beta-amiloidin dhe gjithashtu molekulat e tjera si proteina tau që grumbullohet në sëmundjen e Parkinsonit.

Gjumi i thellë është gjithashtu i rëndësishëm sepse gjatë këtij procesi ne çlirojmë hormonin e rritjes i cili ndihmon në riparimin e muskujve, kockave dhe qelizave imune. Jo vetëm kaq: një gjumë i mirë shërben edhe për të konsoliduar kujtesën dhe për të rregulluar sheqerin në gjak.