Gjykata e Lartë e SHBA-së përmbysi rastin e njohur si “Roe kundër Wade”, duke i dhënë fund të drejtës kushtetuese për abort, njoftojnë mediat amerikane dhe botërore. Me një votim 6-3, gjykata rrëzoi rastin e vitit 1973 që për pothuajse 50 vite garantonte të drejtën kushtetuese për abort.

Vendimi pritet të çojë në ndalimin e abortit në pothuajse gjysmën e shteteve amerikane. “Roe ishte jashtëzakonisht gabim që në fillim. Arsyetimi ishte jashtëzakonisht i dobët dhe vendimi ka pasur pasoja të dëmshme”, – shkroi gjyqtari Samuel Alito në mendimin e tij.

Presidenti amerikan Joe Biden kritikoi vendimin duke thënë se kjo e ktheu SHBA-në 150 vite pas: “Gjykata riktheu ligjet shtetërore që ndalojnë abortin, të cilat datojnë në vitet 1800. Gjykata tekstualisht e ktheu Amerikën 150 vite mbrapa. Është një ditë e trishtuar për vendin, por kjo nuk do të thotë se lufta ka mbaruar”.

Presidenti amerikan tha se gratë kanë fuqinë për të kontrolluar fatin e tyre, duke shtuar: “Le të jemi shumë të qartë: Shëndeti dhe jeta e grave në këtë komb janë tani në rrezik”. Biden tha që, nëse do të ketë protesta, ato duhet të jenë paqësore. Presidenti gjithashtu i bëri thirrje Kongresit që të rivendosë të drejtën e abortit si ligj federal.

Ish-presidenti Barack Obama gjithashtu e kritikoi vendimin, duke thënë se “pasojat do të jenë një goditje jo vetëm për gratë, por për të gjithë ne që besojmë se në një shoqëri të lirë ka kufij se sa qeveria mund të cenojë jetën tonë personale”.

“Planned Parenthood Action”, një organizatë jofitimprurëse, tha se gjykata ka hequr “të drejtën tonë për abort”, duke shtuar se “gjykata ka dështuar për të gjithë ne, por kjo nuk ka përfunduar”.

“Amnesty International” tha se vendimi i gjykatës “shënon një moment historik të zymtë” në historinë e SHBA-së, sepse u hoqi amerikanëve të drejtën për një abort. Njerëzit do të detyrohen të lindin. Ata do të detyrohen të kërkojnë aborte të pasigurta. Ky është rezultati i një fushate dekadash për të kontrolluar trupat e grave, vajzave dhe njerëzve që mund të mbeten shtatzënë”.

Ndërkohë, ish-zv.presidenti amerikan, Mike Pence, mbrojti vendimin e gjykatës, duke thënë: “Sot, jeta fitoi. Duke përmbysur rastin ‘Roe kundër Wade’, Gjykata e Lartë e SHBA-së i ka dhënë popullit amerikan një fillim të ri për jetën dhe unë përgëzoj gjyqtarët e shumicës për guximin e vendimeve të tyre. Gjykata e Lartë ka përmirësuar një gabim historik”.

Vendimi, i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë, ishte kulmi i përpjekjeve prej disa dekadash të kundërshtarëve të abortit, i mundësuar nga një krah i guximshëm i djathtë i gjykatës, që është forcuar nga tre anëtarët e saj të emëruar nga ish-presidentit Donald Trump.

Vendimi erdhi më shumë se një muaj pas rrjedhjes së informacionit për një draft-opinion nga gjyqtari Samuel Alito, që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për ta ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm.

Gjykatësi Alito, në opinionin përfundimtar të lëshuar të premten, shkruante se çëshja ‘Roe dhe Planned Parenthood kundër Wade’, vendimi i vitit 1992 që ripohoi të drejtën e abortit, ishin të gabuara ditën që u vendosën dhe duhet të anulohen. “Autoriteti për të vendosur rregulla mbi abortin u takon degëve politike, jo gjykatave”, – shkroi gjykatësi Alito.

Me Alito u bashkuan gjyqtarët Clarence Thomas, Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett. Tre gjyqtarët e fundit janë të emëruar nga ish-presidenti Trump. Gjykatësi Thomas votoi për herë të parë për të rrëzuar të drejtën e abortit 30 vite më parë. Gjyqtarët Stephen Breyer, Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan, krahu liberal i gjykatës, ishin në kundërshtim.