Europiani i peshëngritjes që po zhvillohet në Moskë (Rusi) ka qenë një zhgënjim për Daniel Godellin, që nuk arriti të japë asnjë rezultat, duke e mbyllur këtë aventurë shumë shpejt. Godelli garoi në baterinë A të peshës 81kg, ku nuk arriti të lërë gjurmë.

Në stilin e shkëputjes, Godelli dështoi dy herë të ngrejë lart shtangën me peshën 152kg, ndërsa në provën e tretë nuk u paraqit fare. Për pasojë, ai e mbylli pa rezultat këtë stil, duke mos u paraqitur fare në pedanë as në stilin e shtytjes. Ai nuk dha rezultat as në dygarësh.

Nuk dihet ende arsyeja përse Godelli nuk kreu provën e tretë në stilin e shkëputjes, nëse është dëmtuar apo jo, çka e la pa u ngjitur në pedanë as në shtytje. Më herët, gjatë drekës, në këtë peshë garoi në baterinë B edhe Erkand Qerimaj.