Rumeysa Gelgi është gruaja më e gjatë në botë, e cila së fundmi ka udhëtuar me avion. Gjatësia e saj është 2.15 metra dhe duke qenë se ishte hera e saj e parë që fluturonte, avioni është detyruar të shndërrojë në shtrat 6 ulëse, në mënyrë që e reja turke të udhëtonte pa pasur probleme.

Ajo do të fluturonte nga Stambolli në San Francisko, ku do të qëndrojë edhe për gjysmën e vitit të ardhshëm. Rumeysa vuan nga sindroma Weaver, që është një çrregullim gjenetik që shkakton rritje të tepërt të kockave. Ajo lëviz zakonisht në karrige me rrota, por mund të ecë edhe vetë kur bëhet fjalë për distanca të shkurtra.

25-vjeçarja është me origjinë nga Turqia dhe ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara për të bashkëpunuar me Rekordet Botërore Guinness për një event si dhe për të zhvilluar karrierën e saj profesionale. “Ky do të jetë fluturimi im i parë, si dhe udhëtimi im i parë jashtë vendit. Por, unë mendoj se kjo përvojë do të jetë e para për shumë njerëz, jo vetëm për mua.

Siç e dini, opsioni i udhëtimit si pasagjer me barelë zakonisht rezervohet për pacientët që transferohen nga një njësi e kujdesit intensiv në tjetrin. Është një alternativë për pacientët që referohen nga një spital në tjetrin dhe kanë nevojë për një ambulancë. Megjithatë, për shkak se nuk mund të rrija ulur për periudha të gjata kohore për shkak të skoliozës, më duhej të fluturoja me barelë”, tha 25-vjeçarja.