Sirena angleze në merkato për mesfushorin e Sassuolo-s, Manuel Locatelli.

I vlerësuar në Itali nga klubet më të rëndësishëm si Juventus, për 23-vjeçarin interesohen edhe klube të mëdha jashtë Italisë. Konfirmimi vjen nga Daily Mail, që ka intervistuar menaxherin e tij Stefano Castelnuovo dhe ka folur me të për një ofertë të mundshme për Manchester City-n e Pep Guardiola-s.

Sipas të përditshmes angleze, në gjurmët e ish-mesfushorit të Milan-it janë vënë edhe Citizens. Lojtari i Sassuolo ka ambicie të mëdha dhe do të ishte gati edhe për një transferim jashtë Italisë. Këtë e ka konfirmuar menaxheri i tij:

“Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Sassuolo-n. Klubi është ambicioz dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Sigurisht, nëse do të vijë një ofertë e mira do të ishte një gjë pozitive për të dyja palët. Ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Sassuolo-s”.

“Do t’i jemi mirënjohës edhe Milan-it. Manuel po kërkon një eksperiencë të ndryshme në Itali ose jashtë. Ëndërron të luajë në Champions dhe uroj që si ai dhe Sassuolo të marrin një ‘dhuratë’ të bukur verën e ardhshme”.

Gjithmonë sipas Daily Mail, City ka bërë gati 30 milionë sterlina për Locatelli-n, por do të duhet të mposhtë konkurrencën e Juventus-it dhe Milan-it.