Erling Haaland ndoshta nuk do të lëvizë nga Borussia Dortmund në këtë merkato verore. Sidoqoftë, fati i tij duket i qartë: të shkojë në një klub të madh dhe të fitojë të gjithë trofetë e mundshëm. Ose, ekziston edhe një zgjidhje tjetër, shumë “e përzemërt”, e cila mban emrin e Leeds.

Asnjë gabim, sepse në rrjetet sociale, shumë përdorues dhe tifozë anglezë kanë vënë në dukje atë që i ndodhi qendërsulmuesit norvegjez në orët e fundit. Haaland u ndalua nga një grup tifozësh, që donin autografe. Ai, pa asnjë problem, u ndal, ndërsa ishte në makinën e tij, dhe i kënaqi të gjithë. Por, një detaj nuk u shpëtoi të pranishmëve: sulmuesi ishte i veshur me pantallona të shkurtra të Leeds, i cili ka qenë gjithmonë ekipi i tij i preferuar.

Siç shkruan “The Sun”, në fakt, tashmë në vitin 2017 Haaland kishte shprehur ëndrrën e tij: “Unë dua të fitoj Premier League me Leeds”. Arsyeja për këtë dashuri është më e thjeshtë nga sa mendoni. Sulmuesi, në fakt, ka lindur në qytetin anglez dhe ka mbetur shumë i lidhur me origjinën e tij.

Fotografia e qarkulluar në internet nxiti ëndrrat e tifozëve të ekipit të Bielsa, të cilët panë që qendërsulmuesi i jashtëzakonshëm të konfirmonte pasionin e tij. Për momentin, megjithatë, transferimi i tij te Leeds është vërtet i pamundur, por për disa tifozë të ëndërrosh nuk kushton asgjë dhe në Twitter ka shumë të tillë. Edhe pse me një ton ironik, në pjesën më të madhe kanë nisur hashtagun #HaalandtoLeeds.