Vetëm pak orë pas deklaratës së James Harden se situata te skuadra e Huoston është kaotike, ka ardhur lajmi se “mjekra” ka lënë ekipin teksan për t’u transferuar te Brooklyn Nets. Basketbollisti James Harden arrin kështu të “fitojë” duelin me Houston dhe shkon të luajë bashkë me Kevin Durant e Kyrie Irving, duke e bërë skuadrën e Nets pretendente për titullin këtë sezon në NBA.

Në këtë transferim janë përfshirë 4 skuadra. Për të siguruar Harden, skuadra e Nets ka hequr dorë nga 3 zgjedhje të para në “draft” dhe 4 “pick swap”, duke përfshirë si spondë në këtë transferim edhe ekipet e Cleveland dhe Indiana. Në total, 7 lojtarë janë përfshirë në këtë “mega-shkëmbim”.

Skuadra e Brooklyn siguron James Harden.

Skuadra e Houston siguron Victor Oladipo, Dante Exum, Rodions Kurucs, 3 zgjedhje të para në Nets në vitet 2022, 2024 dhe 2026, një zgjedhje të parë të Milwaukee (2022) dhe katër shkëmbime të mundshme me Nets në raundin e parë të “draft” në vitet 2021, 2023, 2025 dhe 2027.

Skuadra e Indiana siguron Caris LeVert dhe një zgjedhje në raundin e dytë të “draft”.

Skuadra e Cleveland siguron Jarrett Allen dhe Taurean Prince.