Në një intervistë të dhënë për Sport Ekspres para sfidës së Shqiëprisë ndaj Izraelit, legjenda e Tiranës dhe Kombëtares, Agustin Kola thoshte ndër të tjera që “Shqiptarët kanë smirë ndaj njëri-tjetrit”

Për ta ilustruar me shembullin më të mirë, do të sillte rastin e Myrto Uzunit me golin ndaj Spanjës, ku shumë njerëz thanë se ishte një gol që erdhi nga rastësia dhe jo për meritë të lojtarit.

“Sa i përket ADN, ne shqiptarët kemi problem me smirën. E shoh kudo këtë në fakt, e kam parë edhe me Myrto Uzunin. Ai realizoi një gol kundër Spanjës me kokë. Të gjithë thonin që ishte fat, i ra topi në kokë dhe hyri gol.

Dakort jam, por unë po ju pyes tani: “Po të mos vraponte Uzuni, do i binte topi në kokë?”. Po të mos e ndiqte aksionin Uzuni, a do t’i binte topi në kokë? Nuk ka sesi të realizohet goli vetë, pa u përkushtuar ti për të. Ua them edhe fëmijëve të vegjël që gjithmonë ndiqeni aksionin deri në fund, mos e lini”, shprehej Kola në intervistën për Sport Ekspres.

Ndërkohë, pas golit të mbrëmshëm të Uzunit ndaj Izraelit, Kola ka reaguar sërish për Sport Ekspres, ku nuk mund të mungonte ironia, karakteristikë e tij.

“Hë, e pe golin e Myrto Uzunit? Ishte kot fare, shumë kot e futi këtë golin me Izraelin, nuk e kuptova as unë si hyri topi”, u shpreh Agustin Kola si për të treguar edhe njëherë tjetër “smirën” e shqiptarëve ndaj njëri-tjetrit dhe që nuk e thonë kurrë fjalën e mirë.