Shumë shqiptarë kanë vendosur ta ngrenë jetën e tyre jashtë atdheut, teksa disa prej tyre kanë arritur edhe të ‘kapin majat’.

Një prej tyre është edhe Sadik Malushaj, një emigrant shqiptar që ka emigruar në Kanada përpara 35 vitesh nga Peja.

Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe atij i është dashur të bëjë shumë punë, derisa në një moment ai vendosi të ndërmarrë një hap të madh. Sadiku ka hapur një fermë në Kanada, ku kultivon perime dhe fruta dhe ka punësuar edhe dy djemtë e tij që kanë përfunduar studimet në Toronto.

Sadiku ka qenë i ftuar në emisionin ‘ABC e Mëngjesit’, ku ka folur për këtë iniciativë të tij dhe ka treguar se si mbërriti deri në vendimin për të hapur fermën që mban emrin ‘Little Illyria Farms’.

“Unë kam 35 vite që jetoj në Kanada, kishte edhe shqiptarë të tjerë që jetojnë këtu kur erdha unë. Unë kam punuar në Kanada çdo gjë, në ndërtim, bukëpjekës, edhe që nga 1997 fillova të punoja në zyrë për sigurimet shëndetësore. Që nga ai moment nuk e ktheva shpinën mbrapa, por kompania ishte me partneritet italian dhe në një moment na nxorrën nga puna. Erdhi momenti që të mbijetojmë dhe blemë fermën. I mësova djemve që të punojnë. Ata kanë kryer universitetin në Toronto, por punë është vështirë të gjesh edhe në Kanada ndonëse ke mbaruar universitetin, ndryshe nga vendet skandinave. Ata kanë mësuar si të jetojnë sepse kanë fermën e vet, kanë grurin, kanë gjithçka. Farat e shumta i kemi blerë këtu, por specat i kemi sjellë nga Kosova” – tha në rrëfimin e tij, Sadik Malushaj për ‘ABC e Mëngjesit’.