Tregtia e paligjshme e drogës është një aktivitet jashtëzakonisht fitimprurës që i shtyn trafikantët të gjejnë gjithmonë zgjidhje të reja dhe shumë shpesh deri në kufirin e absurdit, për të transportuar mallrat e tyre duke i shpëtuar kontrolleve të policisë.
Sidomos në vende si Australia, ku kontrollet doganore janë më të përpikta se kurrë. Pikërisht në Sidnei një trafikant u përpoq të kontrabandonte sasi të mëdha droge në territorin australian, duke përdorur një Bentley S2 të çmuar të vitit 1960 si një “kalë troje”.
Sigurisht një ide origjinale por nuk ka mjaftuar për të mashtruar doganierët e Port Botanisë, të cilët kanë sekuestruar lëndët dhe kanë arrestuar pronarin e makinës.
Narkotikë për mbi 100 milionë në Bentley
Kushdo që ka parë ndonjëherë një nga shfaqjet televizive kushtuar shërbimeve të sigurisë në portet dhe aeroportet australiane e di se sa të rrepta dhe të sakta mund të jenë kontrollet mbi njerëzit dhe mbi mallrat që futen në vend.
Një përpikmëri që ka lejuar agjencitë australiane të zbatimit të ligjit të jenë në gjendje të zbulojnë, të fshehura me zgjuarsi në një Bentley S2 të vjetër të vitit 1960, qindra kilogramë drogë.
Makina, e cila mbërriti nga British Columbia në portin e Botanisë, në Sidney, përmbante 161 kg amfetamine, të fshehura nën tapiceri të kabinës dhe 30 kg kokainë, e cila në vend të kësaj ishte vendosur prapa fenerëve.
Pas një raportimi nga Forca Kufitare Australiane, organi që merret me sigurinë e kufijve të vendit, policia e çmontoi plotësisht makinën për ta ekzaminuar në të gjitha pjesët e saj, duke zbuluar kështu sasinë e madhe të drogës që përmbante.
Pasi ka sekuestruar drogën, policia ka arritur të arrestojë edhe trafikantin, i cili kishte shkuar për të marrë makinën plotësisht pa dijeni për atë që kishte ndodhur ndërkohë.
Sipas policisë së Uellsit të Ri Jugor, vlera e drogës së fshehur në makinë është afërsisht 106 milionë dollarë. Një shifër e madhe, shumë mbi vlerën e Bentley S2, e kuotuar deri në gati 70 mijë euro.
Prodhuar midis viteve 1959 dhe 1962, ky sedan luksoz britanik bazohej në Rolls-Royce Silver Clud II dhe ishte i pajisur me një motor 6.2-litërsh V8 që rrjedh gjithashtu nga Rolls dhe kishte një gjatësi prej 5.37 metrash.