Në emisionin “E diela shqiptare”, sot u rrëfye historia rrëqethëse e Suelës, e cila kërkon të gjejë prindërit e saj biologjikë. Moderatori i emisionit, Ardit Gjebrea, i tregon se pas një pune të madhe, është gjetur nëna e saj. Ai tregon se prindërit e Suelës kanë qenë të internuar dhe se nëna biologjike e Suelës e kaloi shtatzëninë e saj në burg.
“Nëna jote quhet Ilira. Në ’75 babai yt arrestohet dhe dënohet me heqje lirie në burgun e Burrelit. Ndaj nënës tënde u mor vendimi të internohej në një fshat të Tiranës.
Në një nga takimet speciale ajo mbetet shtatzënë. Më pas të gjithë nisën ta shihnin me një sy të dyshimtë. Madje dikush inskenoi dhe e denoncoi në polici sikur e kishte këcënuar.
Shtatzëninë e kaloi në burg. Më pas në maternitetin e Elbasanit lindi vajzën që e quajti Suela Dako. Për shkak të gjendjes shëndeteësore të rëndë, nënën tënde e çuan në spitalin e sanatoriumit, ku qëndroi 6 muaj. Por nuk mjaftoi me kaq. Me të dalë nga spitali, duhej të kryente dënimin si e internuar prej 5 vitesh.
Mbaroi internimin dhe nëna jote u bashkua me fëmijët dhe me babanë që u lirua nga amnistia. Tani ajo jeton në Greqi po për shkak të gjendjes shëndetësore nuk ka mundur të vijë në studio, por ka vendosur të flasë përmes një telefonate”, u shpreh Ardit Gjebrea.